Tiranë, 31 korrik 2014 – Debati për reformën territoriale në Kuvend, shpërtheu në një diskutim të zjarrtë mbi krahinat më të përfolura si ajo e Himarës. Kryeministri i vendit Edi Rama deklaroi se Himara është si të gjitha zonat e tjera, një bashki që do krijohet mbi bazën funksionale.

Duke ju drejtuar kryetarit të PBDNJ-së Vangjel Dule, kreu i qeverisë deklaroi se respekton të drejtën e minoritetit grek, por nuk ndihet inferirior, por krenar që është shqiptar. Nën rrjedhën e një rrëfimi folklorik, kreu i qeverisë i kujtoi Dules se Himara ka qenë dhe është një krahinë shqiptare dhe se minoriteti grek që jeton aty nuk ndryshon asgjë.

“Për mua Himara është si Shkodra, Dibra, Kavaja, si të gjitha bashkitë e krijuara mbi kriteret e zonës funksionale dhe fakti që në Himarë jeton një pjesë e minoritet grek nuk nënkupton asgjë tjetër, përveçse detyrimit për të jetuar dhe kaq. Por meqë ka pasur shumë barcaleta dhe është bërë folklorike, por rikthehem te Eqerem Çabej. Në Himarë pati ca telashe, e historia thotë se nxiteshin nga një farë Bollano dhe i kërkon Ministrisë së Arsimit shumëfishimin e shkollave greke. Dhe ministria dërgon Çabejn si inspektor. Ai harton një promemorie, ku po shkëpus një copë: Himara ka qenë dhe është një krahinë shqiptare ku sundojnë cilësitë e racës shqiptare. Për origjinën shqiptare, flasin qartazi traditat labe, por për këtë flasin edhe emrat, sidomos flasin këngët dhe vajtimet e tyre të cilat janë shqip”, u shpreh Rama.

Duke i'u rikthyer çështjes së Himarës, kryeministri deklaroi se ajo është keqpërdorur për vite të tëra, dhe se më në fund ajo do të administrohet mbi kriterin e zonës funksionale:

"Himara është një nga 58 bashkitë e reja të ngritura mbi kriterin e zonës funksionale, që garanton rritjen e mirëqenies dhe integrimin uraban ekonomik e social për të gjithë komunitetin", u shpreh ai.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/