·        Por kryebashkiaku Dako mbaron punë qysh në vitin 2015, kur sapo mund të fillojë mandatin e tretë

DURRËS, 26 qershor 2014 –  Fill pas marrjes së statusit, Qeveria, me propozim të ministrit durrsak të Mjedisit z. Lefter Koka, u referohet kërkesave të BE-së në direktivën kuadër, teksa nxjerr më 25 qershor 2014 në mbrëmje vendimin për grumbullimin e diferencuar të mbetjeve, ku Durrësi, si bashki e kategorisë së parë, duhet të ketë përcaktuar, brenda datës 31 dhjetor 2016, masat për grumbullimin e diferencuar të letrës / kartonit, metalit, plastikës, qelqit.

Më 25 qershor 2014 Këshilli i Ministrave, me propozim të Ministrit të Mjedisit z. Lefer Koka, miratoi  një Vendim për grumbullimin e diferencuar të mbetjeve në burim, i cili transpozon kërkesat e nenit 11 të direktivës kuadër të mbetjeve 2008/98/EC “Mbi mbetjet”

Vendimi synon përcaktimin e afateve dhe masave për grumbullimin e diferencuar të rrymave të mbetjeve për të reduktuar sasinë e mbetjeve që do të depozitohen përmes optimizimit (gjetja e alternativave me koston më efektive dhe performancën më të lartë në grumbullimin e diferencuar të mbetjeve) të grumbullimit të mbetjeve; sigurimit të grumbullimit të diferencuar të mbetjeve në burim; promovimit të ripërdorimit të produkteve; përgatitjes së veprimtarive të ripërdorimit; përmirësimit të cilësisë së riciklimit të mbetjeve (letër / karton, metal, plastikë, qelq).

Vendimi kërkon që bashkitë e kategorisë së parë (ku përfshihet edhe Durrësi) përcaktojnë, brenda datës 31 dhjetor 2016, masat e përshtatshme për grumbullimin e diferencuar të mbetjeve të paktën për rrymat e mbetjeve.

Ndërsa njësitë e tjera të qeverisjes vendore (Shijaku, Kruja, Fushë-Kruja, Manza, Sukthi etj.) marrin, brenda 31 dhjetorit 2018, masat e përshtatshme për grumbullimin e diferencuar të mbetjeve, të paktën për rrymat e mbetjeve.

Njësitë e qeverisjes vendore, brenda datës 31 dhjetor 2020, duhet që, për përgatitjen, ripërdorimin dhe riciklimin e mbetjeve të ngurta, ku përfshihen letra, metali, plastika dhe qelqi, të arrijnë objektivin, minimumi në 50 për qind të peshës së përgjithshme të mbetjeve të gjeneruara në vitin 2014.

Njësitë e qeverisjes vendore marrin masat për grumbullimin e diferencuar të mbetjeve në burim duke u siguruar qytetarëve minimalisht një sistem grumbullimi mbetjesh prej tri grupesh për mbetje të riciklueshme të thata; mbetje të riciklueshme të njoma; mbetje të pariciklueshme.

Në planet vendore të menaxhimit të mbetjeve, të cilat duhet të hartohen në përputhje me planin kombëtar dhe planin rajonal të menaxhimit të integruar të mbetjeve, duhet të parashikohen masa e metoda për arritjen e objektivave brenda afateve të vendosura.   

Ndërkohë, Bashkia e Durrësit ka miratuar, në vitin 2010, planin vendor të menaxhimit të mbetjeve për vitet 2010-2025, ku kërkesat e Kryeministrit z. Edi Rama plotësohen brenda vitit 2015 nga kryebashkiaku z. Vangjush Dako, i cili, me sa duket, do të rikandidohet nga PS-ja për një mandat të tretë në zgjedhjet administrative të vitit të ardhshëm.

Shënim: Fotot që ilustrojnë lajmin janë marrë nga “Plani Lokal i Menaxhimit të Mbetjeve për Bashkinë e Durrësit”.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/