DURRËS, 6 qershor 2014 –  Durrësi të bëhet si Verona, më 5 qershor 2014, shefi i Ekzekutivit të Shqipërisë, Edi Rama ka takuar kryebashkiakun italian të Veronës, së Romeos dhe Xhulietës, Flavio Tosi, dhe së toku me qytetarin nr. 1 të Durrësit Vangjush Dako, kanë folur për forcimin e bashkëpunimit mes Durrësit dhe Veronës, si dhe për të marrë përvojat më të mira nga bashkia e Veronës në mbrojtjen e amfiteatrit të Durrësit dhe nxitjen e aktiviteteve kulturore dhe artistike në këtë amfiteatër, njofton në FB vetë Kryeministri Rama.

Sipas zyrës së shtypit të Qeverisë, Kryeministri Edi Rama po zhvillon një vizitë dyditore në Itali, ku do të marrë pjesë në çeljen e pavijonit shqiptar në Bienalen e Venecias.

Ndalesa e parë e Kryeministrit Rama ka qenë në Verona, i shoqëruar nga Ministrja e Kulturës Mirelë Kumbaro; kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako dhe deputetët Artan Gaçi (i qarkut të Tiranës) dhe Blend Klosi (i qarkut të Durrësit).

Në takimin e zhvilluar me Kryetarin e Bashkisë së Veronës Flavio Tosi Kryeministri ka kërkuar bashkëpunim të ngushtë mes qyteteve të Durrësit dhe Veronës, duke pasur parasysh edhe faktin që të dy qytetet përveç potencialit turistik, kanë të përbashkët edhe amfiteatro të ndërtuara gjatë perandorisë romake.

Kryetari i bashkisë së Durrësit Dako shprehu angazhimin e tij për të binjakëzuar dy qytetet, si dhe për të marrë eksperiencat më të mira nga bashkia e Veronës në mbrojtjen e amfiteatrit të Durrësit dhe nxitjen e aktiviteteve kulturore dhe artistike në këtë amfiteatër, që mendohet të jetë më i madhi i ndërtuar jashtë kufijve të perandorisë romake.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/