Pas denoncimit të veprimeve të Hipotekës së Durrësit, e cila ka sorollatur një qytetar për më shumë se 6 vjet, në emisionin “Fiks Fare” mbrëmjen e së martës, kryeministri Edi Rama në një bashkëbisedim me qytetarët ka njoftuar sot shkarkimin e drejtorit të këtij institucioni, Ardjan Iljazaj.

Gjatë fjalës së tij, Rama nuk nguroi ta cilësonte Iljazajn si një halabak ndërsa kërkoi ndihmën e qytetarëve që të demaskojnë njerëzit e padenjë si drejtori i shkarkuar, duke i denoncuar te portali “Shqipëriaqëduam.al”

Por kush është drejtori i shkarkuar mesditën e sotme?

Iljazaj u emëruar në janar të vitit 2018-ë, emri i të cilit u publikua në listën e kandidatëve të shpallur fitues nga konkursi i hapur për pozicionin e regjistruesit pranë ZVRPP-ve në mbarë vendin.

Para se të emërohej në krye të Hipotekës së Durrësit, Ardjan Iljazaj mbante detyrën e shefit të zyrës juridike në ndërmarrjen Ujësjellës Kanalizime sh.a Durrës, prej më shumë se 4 vitesh.