29 nëntor 2013- Kryeministri Rama dhe Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, janë ndalur sot te komanda e forcave RENEA. Në fjalën e tij, Rama tha para forcave RENEA se asnjë fjalë nuk mund të përshkruajë dot qoftë shkallën e vështirësisë së përballjes, duke shprehur falenderime edhe për operacionin e kapjes së të arratisurve nga burgu i Drenovës, pak ditë më parë.

Më tej, Rama tha se kjo ditë përkon edhe me ditën e Çlirimit, duke theksuar se në emër të qytetarëve përulet me mirënjohje, duke shprehur jo vetëm nderim me fjalë, por edhe përkushtimin që dita-ditës ndjehet.

“Sa herë që e keqja shfaqet, ju i dilni asaj përballë duke vënë në rrezik jetën tuaj dhe këtë e bëni në mënyrë të shkëlqyer, siç e bëtë në ato pak ditë se asgjë nuk mund t’iu zmbraps nëse ata që iu japin urdhra, nuk ia kanë kujt me hile, por se janë në lartësinë e aspiratave të këtij populli.Jemi shumë të vetëdijshëm për vështirësitë me të cilat përballeni në të përditshmen tuaj dhe në punë, por ajo që iu bën të gjithëve ju të veçantë, është fakti se pavarësisht vështirësive ku shumëkush mund të dorëzohej, tërhiqej apo fshihej, pasioni për ti shërbyer detyrës, por edhe për ti shërbyer ëndrrës që iu ka renditur në radhët e Policisë së Shtetit, është më i madh. Forca speciale RENEA është një forcë e bazuar në norma të pathyeshme, që e bëjnë forcën tuaj speciale një forcë të pathyeshme përballë kujtdo”, deklaroi Rama.

Rama përsëriti angazhimin e tij, se asnjë ditë nuk harrohet se duhet bërë çdo ditë më shumë për këto forca. Ndërkaq, ministri Tahiri tha se mbarë vendi, ndihet krenar nga puna e tyre

 “Nuk kam fjalë t’ju falënderoj mjaftueshëm, për gjithçka keni bërë, edhe pse i di fare mirë kushtet tuaja, falënderimi më i madh është mirënjohja për gjithçka që keni bërë deri më sot, dhe jam i sigurt se sot të gjithë ne ndihemi krenarë me secilin prej jush, do bëjë gjithçka për tju ndjerë më pranë jush”- shprehu Tahiri.