Taulant Balla ka reaguar për herë të parë pasi kryeministri Edi Rama vendosi ta largojë nga postet e rëndësishme në Partinë Socialiste.
Edhe pse vetë Balla tha se ishte besim i madh që do të drejtonte grupin parlamentar, gazetarët insistuan ta pyesnin atë në lidhje me arsyet që e lënë jashtë një posti ministror.
“Unë nuk e mendoj që të jesh kreu i grupit të mazhorancës nuk është pozicion i rëndësishëm politik, dhe të drejtosh qarkun e dytë më të madh në vend, nuk është pozicion i rëndësishëm politik.“u përgjigj Balla.
Balla do të jetë përveç drejtues i grupit parlamentar edhe drejtues politik në qarkun e Fierit, detyrë për të cilën tha se ishte shumë e rëndësishme pasi do të zëvendësojë një figurë me peshë si ajo e Gramoz Ruçit.
I pyetur për zëvendësimin e tij nga Damian Gjiknuri si numri dy i Partisë Socialiste, Balla iu përgjigj gazetares duke thënë se “s’ka tërmet në Elbasan”.
Fjala e Ballës:
Të jesh kryetar i grupit parlamentar, dhe të drejtosh qarkun e dytë më të madh në vend është një pozicion i rëndësishëm politik. Unë falenderoj ata afro 90 mijë votues që si asnjëherë më parë, në mënyrë historike, kemi rritjen më të madhe, dua t’i falenderoj një për një. Falenderoj edhe ata që s’na votuan. Falenderoj edhe anëtarësinë e PS, falenderoj patronazhistët që kanë bërë një punë të shkëlqyer. Kemi ditur në ngremë një strukturë, një makineri efikase që bëri të mundur një fitore.
Unë nuk e fsheh, duke qenë se ju e dini që kam patur prirjen të shoh edhe organizimet e partive të tjera në Europë. PS është shumë e mirëorganizuar.
Kryetari i shumicës parlamentare në një parlament që do të ketë përgjegjësi të mëdha, është përgjegjësia e dytë do të thoja unë. Unë do vazhdoj të jem në krye të grupit të PS. Janë një grup deputetësh shumë të mirë, që duhet të vazhdojnë të luajnë një rol shumë aktiv. Nuk shoh asnjë shmangie nga ajo që unë kam dëshirë të bëj. Unë kam kandiduar gjitmonë në të njëjtën zonë sepse kam një lidhje shumë të fortë. Çdo qytetar duhet ta dijë për kë ka votuar. Do vazhdoj ta bëj në mënyrën më të mirë, që të jem zëri i qytetarëve.
Ju thash që unë jam deputet i qarkut të Elbasanit, dhe do të jem drejtues politik i qarkut të Fierit. Aty duhet një punë shumë e rëndësishme për të ruajtur performancën, dhe ju lutem mos ngatërroni detyrat që burojnë nga fakti i të qenit deputet dhe drejtues qarku. Një politikan i mirë, di t’u bëjë të dyja. Në këtë këndvështrim unë e thashë, të jesh drejtues politik i qarkut Fier, secili do ta ketë si një hap të vetin në përfaqësimin e PS. Dua t’ju them se unë do të mërzitem me Ramën nëse qarku i Elbasanit nuk do të marrë investimet e nevojshme dhe të domosdoshme. PS ka rezultatin më të mirë në Elbasan dhe unë do të jem në Kuvendin e Shqipërisë për të garantuar që investimet të jenë në vëmendjen e parë.
Unë jam sa përfaqësues dhe banor i atij qarku. Unë do të jem mes Elbasanit dhe Fierit. Nuk bie tërmet në Elbasan.





