Kryeministri Rama inauguroi të mërkurën Qendrën e re të Inovacionit të Sigurisë dhe Mbrojtjes teksa theksoi se ajo shënoi me hapjen e saj një epokë të re të zhvillimit teknologjik dhe modernizimit në fushat e sigurisë dhe mbrojtjes.
“Kjo qendër i bashkëngjitet Njësisë Ushtarake të Sigurisë Kibernetike, një tjetër projekt madhor për mbrojtjen në botën digjitale, me një rol kyç në luftën kundër kërcënimeve kibernetike dhe mbrojtjes së sistemeve tona të informacionit, e ngritur falë mbështetjes së SHBA-së. Nëpërmjet Qendrës së re të Inovacionit të Sigurisë dhe Mbrojtjes, synohet ndër të tjera të forcohen kapacitetet kombëtare në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes përmes zbatimit të projekteve inovative dhe integrimit të teknologjive të avancuara, si dhe të nxitet zhvillimi i një ekosistemi të inovacionit në siguri dhe mbrojtje”.
Ndërkohë, po këtë të mërkurë, Rusia reagoi me anë të zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova, e cila akuzoi NATO-n dhe Bashkimi Europian se po zgjerojnë qendrat e tyre kibernetike të orientuara për sulme kundër Rusisë.
Sipas saj, një e tillë po hapet edhe në Shqipëri dhe pretendon se misioni i qendrës do të jetë “të ndihmojë në krijimin e një imazhi negativ për Rusinë”.
Zakharova paralajmëron se “në këtë mënyrë, po krijohet një tjetër burim kërcënimesh hibride në Ballkan”, duke thënë se ky është një rajon me probleme të mëdha politike.
Zyrtarja e ministrisë së jashtme pretendon se një qendër e ngjashme është krijuar në vitin 2017 në Helsinki të Finlandës, për të cilën, ushtarakët rusë thonë se vepron në sferat ushtarake, politike, diplomatike, ekonomike, informative, mjekësore dhe të tjera për të dëmtuar imazhin pozitiv të Rusisë. Zakharova më tej akuzoi NATO-n për manovra të rrezikshme lufte.“Aktualisht, në marrëdhëniet me Rusinë, blloku është kthyer në mendësinë e Luftës së Ftohtë. Në dokumentet e doktrinës së tij, vendi është shpallur, po e citoj ‘kërcënimi më i madh i drejtpërdrejtë’. Ka një grumbullim aktiv të ushtrisë në kahun lindore. Stërvitje ushtarake të një shkalle të paprecedentë. Po përgatiten për luftë kundër Rusisë dhe as që e fshehin”, shtoi ajo.
Ajo tha mes tjerash se NATO nuk ka vend në botën e re multipolare dhe se mbetet në optikën e Rusisë.