Kryeministri Edi Rama, ka qenë i ftuar në televizionin EuroNews Europe, në emisionin “Global Conversation” ku ka folur në lidhje me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Rama tha se Europa nuk është thjesht një destinacion politik, por një fe që askush nuk mund ta tradhtojë në Shqipëri. Megjithatë kreu i qeverisë vuri në dukje se zhgënjimet kanë qenë vijuese dhe Evropa nuk ka qenë e mirë në mbajtjen e premtimeve të saj.
Një pjesë nga intervista
Kërkesa e Shqipërisë për të nisur bisedimet për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian mund të bëjë një hap përpara me konferencën e parë [ndërqeveritare] që pritet të propozohen së shpejti – sa domethënëse është kjo?
“Është shumë e vështirë ta thuash, shumë e vështirë sepse këtë hap duhej ta ndërmerrnim disa vjet më parë dhe përsëri e përsëri. Por nuk ndodhi… për shkak të dinamikës së brendshme në Këshillin Evropian dhe… shpresojmë se ky do të jetë rasti. Po nuk është e lehtë.”
Çfarë jeni përgatitur të bëni nëse bisedimet ngecin sërish?
“Ne nuk planifikojmë asgjë tjetër përveçse të vazhdojmë të punojmë, sepse për ne Evropa nuk është një objektiv apo destinacion politik, Evropa është një fe! E askush nuk mund ta tradhtojë këtë fe në Shqipëri, për shkak të faktit të thjeshtë se Evropa është një amanet dhe është në të njëjtën kohë një detyrim ndaj fëmijëve tanë. Kjo është arsyeja se përse ne do të punojmë gjithnjë e më fort, më fort, më fort, për ta bërë Shqipërinë një shtet evropian që funksionon plotësisht.”
Që nga fillimi, afrimi i Shqipërisë drejt BE-së ka qenë një premtim politik i juaji. Duke pasur parasysh gjithë këto vite që kanë kaluar, sa domethënie ka anëtarësimi në BE për Shqipërinë sot?
“Ka gjithmonë po aq shumë domethënie sa kishte ditën e parë. Shqiptarët nuk lodhen kurrë së luftuari për të qenë pjesë e Evropës. Sigurisht, zhgënjimet kanë qenë vijuese dhe Evropa nuk ka qenë e mirë në mbajtjen e premtimeve të saj. Ne i kemi bërë detyrat e shtëpisë dhe do të vazhdojmë t’i bëjmë sepse, siç thashë, për ne Evropa është ajo që ka qenë që nga dita e parë, kur kemi dalë nga komunizmi dhe kjo është hera jonë e parë në histori që ne mund të zgjedhim. Asnjëherë nuk e kemi pasur mundësinë e zgjedhjes, të tjerët vendosnin për ne dhe vendi ynë ishte në hapësira të tjera, por jo në hapësirën që dëshironim gjithmonë e që është Europa, Bashkimi Europian”.





