TIRANË- Kreu i PS-së, Edi Rama ka reaguar ndaj qëndrimit të mbajtur nga Ambasada Amerikane në Tiranë, në lidhje me vendimin e mbajtur nga Gjykata e Tiranës për cështjen e “21 Janarit". 

“Faleminderit Shteteve të Bashkuara për shprehjen pa asnjë ekuivok të protestës ndaj verdiktit të sotëm! Bota e lirë s'i mban dot kësi turpesh”, shkruan Rama në Twitter. 

Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, pak orë pasi trupa gjykuese lexoi vendimin për pafajësinë e ish-kreut të Gardës, Ndrea Prendi, dhe gardistit Agim Llupo, Ambasada Amerikane cilësoi tronditës verdiktin e sotëm si dhe “minim të besimit ndaj gjyqësorit”.