Kryeministri Edi Rama ka bërë një deklaratë që shumë shqiptarë ndoshta as nuk e kishin pritur: Falen të gjitha gjobat e vendosura deri më tani për këmbësorët dhe kush ka lëvizur me makina në shkelje të masave kufizuese për frenimin e përhapjes së COVID-19.

Në një komunikim publik, Rama tha po ashtu se qytetarëve do t’u kthehen pas patentat e bllokuara, ndërkohë që nga java tjetër, theksoi ai, do të nisim të gjithë si të barabartë.

Vendimet e reja që komunikoi kryeministri Edi Rama sot

  • Falen të gjithë gjobat e vendosura deri tani për këmbësorët e shoferët, kthehen patentat
  • Nga sot në 17:30 deri hënën në 05:00 të gjithë brenda (me përjashtim të pensionistëve)
  • Pensionistët do të lejohen të dalin nesër deri në orën 11:00
  • Nga java e ardhshme nuk ka më leje (autorizim) në policinë e shtetit
  • Javën tjetër lejohet lëvizja me makinë për arsye shëndetësore, por vetëm me autorizim
  • Nesër publikohet lista e bizneseve që do të lejohen javën tjetër, por me protokollin e sigurisë
  • Nga e hëna për të shkuar në punë me makinë merrni autorizim javor tek e-Albania
  • Në makinë mund të merrni vetëm një koleg të punës (në sediljen e pasme diagonal)

Rama bën me dije se ndërkohë, në javët në vijim do të jetë e mundur puna krejt lirisht, nga ora 5 e mëngjesit deri 5 e 30 pasdite, për të gjithë ata që do jenë në kategoritë e lejuara që do publikohen në faqen e-Albania.

Por kryeministri ka theksuar se ndëshkimet për ata që thyejnë rregullat do të jenë të ashpra.

“Të gjitha bizneset në këto kategori duhet të sigurohen që në çdo kolektiv, të mësohet së cilat janë detyrat dhe të respektohet protokolli i sigurisë sipas rregullave të përcaktuara, por dhe të mësojnë se cilat janë pasojat për shkelësit.

Javën e ardhme duhet të fillojmë të përgatitemi për t’u hapur për javët në vijim.

Dhe së fundmi, dua të jem i qartë, nga java e ardhshme për shkelësit e rregullave, në radhë të parë për lokalet e trimave të lagjes që hapen fshehur, do të jenë të ashpra dhe të panegociueshme”.