Më në fund edhe naftëtarët do të mund të sigurojnë bukën e fëmijëve të tyre.
Në takimin që një përfaqësi e sindikatës së naftëtarëve të bashkuar patën sot me kryeministrin Rama në bashkinë e Fierit është vendosur që naftëtarët do të marrin një mbështetje ekononomike prej 400 mijë lekë të vjetra në muaj për një vit rretht.
Sipas kryetarit të sindikatës Sokol Dautaj janë 870 naftëtarë do të përfitojnë. Sa i takon pagave të prapambetura, Dautaj tha se do të vazhdojnë betejën ligjore.
“Me zgjidhjen që marrim sot jemi të kënaqur kurse për detyrimet e prapambetura mbetet të ndiqet rruga ligjore. Kërkuam një kompromis që katër pagat e para të merren dy e nga dy, brenda këtij muaji dy paga dhe brenda muajit të ardhshëm dy paga të tjera. U hodh ideja për të sjellë kompani të ndryshme por ne jemi skeptik deri në ardhjen e kompanisë. Janë 870 naftëtarët që do të përfitojnë nga listëpagesa.”– tha Dautaj.
Nderkohe, para takimit, Rama deklaroi se qeveria do ta çojë marrëveshjen deri në fund.
“Naftëtarëve u them se sigurisht nuk mund të them që ne kemi arritur që të krijojmë kushtet që problemi i tyre të zgjidhet njëherë e mirë. Se nuk e kemi arritur, por ama u them që le ta përfytyrojnë për një moment sikur sot mos të ishim ne por të ishin Iliri me Monikën bashkë me Saliun sesa shanse do kishin ata që të merrnin një haber të mirë dhe të hynin në një fazë qetësie dhe të kishin mbështetje një qeveri që do të vazhdojë pa pushim për të garantuar një zgjidhje përfundimtare”,- tha Rama.
Kujtojmë se pas negociatave të zhvilluara në datën 9 nëntor, naftëtarët e Ballshit kanë pranuar ofertën e bërë nga kryeministri Rama.
Edhe pse nuk arritën të gjenin një zgjidhje për pagat e prapambetura, naftëtarët thanë se kushtet ekonomike i detyruan që ta pranonin propozimin.





