Pak javë para zgjedhjeve lokale që shihen si test i rëndësishëm për opozitën e drejtuar nga Sali Berisha, qeveria shpalli sot zyrtarisht projektligjin e dërguar në Parlamentin e kontrolluar prej saj, për rritje të lartë pagash nga 20 deri në 70 për qind me dy faza.
Rama tha se rriten pagat për të gjithë punonjësit e shtetit dhe tha se mesatarja bazë mujore do të jetë jo më pak se 900 euro, duke mos u përfshirë këtu shtesa të ndryshme si vjetërsia në punë dhe kualifikimi.
Këtë plan, opozita e quan “mashtrim në kuadër të fushatës elektorale”. Për kryetarin e Partisë së Lirisë, deklaratat e kryeministrat Rama për rritjen e pagave janë “mashtrime të përsëritura”.
“Rama kujtohet për qytetarët pak javë para ditës së zgjedhjeve” tha Meta në një prononcim për median pasi doli nga selia e PD-së, ku ndodhej në një takim me Sali Berishën për të koordinuar hapat që do ndjekin për fushatën zgjedhore të 14 majit.
Ndërkohë shefja e Misionit të Vëzhguesve të OSBE/ODIHR, në një konferencë me gazetarët pak minuta pas deklaratës së kryeministrit Rama për rritjen e pagave, tha se çështja do të analizohet për të parë nëse përbën shkelje ligjore apo jo.
“Kjo çështje është një nga fushat që po e shohim me kujdes dhe na duhet pak kohë të studiojmë nëse përbejnë shkelje dhe në çfarë mase kanë shkelur Kodin Zgjedhor” tha Audrey Glover.
Gjithsesi Glover ndoshta nuk është e informuar për faktin se në Shqipëri, ligji ndalon rritje pagash në prag zgjedhjesh vetëm për zgjedhjet e përgjithshme dhe jo ato lokale.