Në një dalje për mediat, kryeministri Edi Rama konfirmoi se maxhoranca do të mbështesë nismën e deputetëve të opozitës së re, Myslim Murrizit dhe 29 deputetëve për të ndryshuar Kushtetutën dhe për të vendosur listat e hapura në zgjedhjet e ardhshme.

Rama tha se ky vendim i PS-së për të ndryshuar listat është lëshimi më i madh i imagjinueshëm ndonjëherë, ndërsa thekson se kjo lëvizje reflekton dëshirën e pjesës më të madhe të shqiptarëve.

“Kemi vendosur që të mbështesim si PS një hapje të listave dhe ti japim mundësi çdo zgjedhësi të zgjedhë subjektin politik dhe të shprehë preferencën e tij për deputetin apo deputeten e përfshirë në listën e subjektit. Është një vendim që reflekton bindjen se hapja e listave përkon me dëshirën e një mase shumë të madhe qytetarësh shqiptarë, që shkon shumë përtej një shumicë apo pakicë qeverisëse. Siç e tha edhe Taulanti përtej asaj që do të ishte zgjidhja më e thjeshtë, dhe në pamje të parë më komode për një parti të madhe, por edhe për mua personalisht si kryetar i Partisë, që në këtë rast dua t’u jap të gjithëve me faktin e hapjes së listave mesazhin se, asnjëherë nuk ka qenë për mua prioriteti komoditeti im, por gjithmonë është që PS të reflektojë shoqërinë dhe interesat dhe ambiciet e shoqërisë. E di shumë mirë se ka një sëkëlldi dhe përpjekje që kjo gjë të tregohet sikur është shkelje e marrëveshjes së 5 qershorit, por fakti është se marrëveshjen e 5 qershorit ne e kemi realizuar me vullnetin më të mirë duke shkelur edhe mbi veten, sepse ambicia jonë që përkon me nevojën dhe interesin e vendit ka qenë e shprehur vazhdimisht edhe nga unë personalisht depolitizomi i administratës zgjedhore, rekomandim kyç i OSBE/ ODIHR nuk ka ndodhur, sepse e kundërshtonte deri në fund PD. Vendosëm të bëjmë një lëshim, që është më i madhi i imagjinueshëm për një forcë politike që ka shumicën e që shkel mbi veten në këtë rast.”