Për herë të parë kryeministri Edi Rama ka folur për ngjarjen e ndodhur në Elbasan disa ditë më parë, ku një audi përplasi makinën e policisë. Nga qyteti i Fierit ku ka zhvilluar konsultime publike për buxhetin e 2018-ës, kryeministri Rama i është përgjigjur interesit të qytetarëve për luftën ndaj krimit.
Kreu i Qeverisë tha se për ngjarjen e Elbasanit po vijojnë hetimet, dhe së shpejti do të ketë rezultate. Ai tha se përpos bandave dhe grupeve kriminale, do të vihen para përgjegjësisë edhe të inkriminuarit në radhët e policisë.
“Falënderoj ambasadorin amerikan që përkrahu shqetësimin e ngritur prej nesh. Në mënyrë të përsëritur sa herë kemi bërë takimet e përbashkëta për të parë ecurinë në luftën kundër kultivimit të kanabisit, unë e kam thënë që duhet të hyjmë në një fazë të re. Dhe përgatitja për këtë ka nisur prej kohësh, dhe ne jemi në fazë të re, pra kundër të fortëve të këtyre feudeve të ndara sipas influencës. Synojmë t’i shkojmë pas aseteve dhe pasurive kriminale. Shumë mirë që e tha edhe ambasadori Lu, dhe ndërkohë ne po punojmë intensivisht. Ndodhi në Elbasan një ngjarje që mori goxha jehonë mediatike, e cila shërbeu si një lloj katalizatori për të rritur intensitetin e propagandës mbi këtë çështje. Ju siguroj se çështja e Elbasanit është në ndjekje të vazhdueshme”,- tha kryeministri Rama.





