Kreu i qeverisë, Edi Rama në një intervistë në “Rai 1” foli për herë të parë për vdekjen e të fejuarës së djalit të tij, Kristi Reçi.
I pyetur nga gazetari italian, Bruno Vespa, Rama tha se është e vërtetë që në tragjedinë e 26 nëntorit ka humbur jetën edhe e fejuara e djalit të tij, Gregut, por nuk ka preferuar të flasë për këtë pjesë.
Bruno Vespa: Zoti kryeministër, nga tragjedia e tërmetit humbi jetën edhe Kristi Reçi, e fejuara e djalit tuaj?
Edi Rama: Po, është e vërtetë, por me lejoni të them që duke u gjendur në këtë situatë të veçantë dhe në ketë detyrim shumë të lartë për të qenë kryeministër i një vendi që po kalon këtë tragjedi, nuk kam dashur të flas për këtë sepse nuk është diçka që ka të bëjë me mua apo familjen tonë, por me të gjithë ne. Kjo thjesht e shtoi atë detyrimin tim të brendshëm për të bërë gjithçka, sepse nuk gjej dallim mes atyre që kanë humbur jetën.
25-vjeçarja Kristi Reçi, studentja e mjekësisë, humbi jetën nga tërmeti 6.4 ballë i 26 nëntorit, së bashku me dy prindërit dhe vëllanë e saj.
I ftuar në “Porta a Porta” Rama foli për tragjedinë e tërmetit dhe atë çka la pas, ndërsa bëri thirrje për sensibilizim për t’u ardhur në ndihmë familjeve në nevojë.





