Kryeministri Edi Rama paralajmëron ashpërsim të Kodit Penal, sa i takon sigurisë ushqimore në vend.
Rama paralajmëroi gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së, heqje të lirisë së aktivitetit, si edhe asaj individuale, për të gjithë ata që kërcënojnë shëndetin e qytetarëve.
“Kdi ka nevojë për disa ndryshime në aspekte të tjera për mbarëvajtjen e jetës së vendit. Duke nisur nga siguria ushqimore, kemi bërë jo pak progres. Produktet tona bujqësore, ndryshe nga çfarë del ne ekran për të bërë sensacion, janë plotësisht të shëndetshme. Asnjë kamion, në 300 mijë ton, nuk është kthyer për shkak të cënimit të standardeve europiane, por ka fatkeqësisht individë edhe subjekte që kryejnë krime kundër shëndetit të njeriut, ia kanë hedhur 30 vjet me gjoba që nuk janë asgjë krahasuar me fitimin e tyre.
Këtyre forcave të së keqes që guxojnë të kërcënojnë shëndetin e fëmijëve tanë dhe të gjithë atyre që në këtë vend konsumojnë ushqim, duhet t’u rezervojmë ndëshkimin më shembullor, të heqjes së lirisë së aktivitetit, dhe individuale”.
Kreu i qeverisë paralajmëroi burgun dhe kjo përmes ndryshimeve në Kodin Penal për këdo që ushtron dhunë ndaj personave në detyrë.





