TIRANE – Kryetari i PS-së, Edi Rama, i ka kërkuar Forumit Rinor Eurosocialist angazhim maksimal për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit për të arritur fitoren e shumëpritur. Në një aktivitet me të rinjtë socialistë, Rama u shpreh se pas 6 muajsh, do ti hapet rruga rilindjes dhe një ndryshimi të madh.
“Të gjithë jeni përçues të energjisë që duhet t’u shkojë njerëzve të zakonshëm për ta rindërtuar besimin. Në 6 muajt e ardhshëm ju do të dini të ndërtoni besim tek shumë njerëz që sot mund të jenë ende jo besimplotë apo mund të jenë ende mosbesues për mundësinë e një ndryshimi të madh. E ndryshimit që ne duam dhe do të sjellim së bashku. E kushteve për t’i hapur rrugë një rilindjeje shqiptare që nuk është një utopi por është një domosdoshmëri”,- deklaroi Rama.
Duke vlerësuar progresin e bërë nga FRESH në përpjekjet për t’u reformuar, kreu socialist tha se në të ardhmen transformimi do të jetë edhe më i madh. ”Të jeni të sigurt që në pak vite FRESSH-i do të jetë transformuar në një mënyrë të atillë që do t’i japi shumë më tepër se sot jo thjesht PS, por politikës në tërësi dhe jetës sociale në përgjithësi”,- u shpreh lideri socialist.