4 shkurt 2014 – Akuzat e fundit të ardhura nga Brukseli, në drejtim të deputetit Mark Frroku, të pasura edhe me një përplasje të këtij të fundit me ish-kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, kanë përfshirë në debate dhe tension Partinë Socialiste, subjektin më të madh politik në pushtet. Akuzat e artikuluara nga mediat belge në adresë të deputetit të mazhorancës në Shqipëri, kanë shqetësuar dhe trazuar kryeministrin, Edi Rama. Lajmi i botuar në mediat belge rreth statusit juridik të deputetit në fjalë dhe përplasjes së tij me Jozefina Topallin, ishin dje objekt diskutimi dhe debatesh në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ku merrte pjesë edhe deputeti i mazhorancës, Mark Frroku. Burime brenda grupit parlamentar socialist, bënë me dije se kryeministrit Rama ka ngritur shqetësimin për çështjen e përplasjes së deputetit Frroku me deputeten e Partisë Demokratike, Jozefina Topallit dhe gjuha e përdorur në reagimin ndaj saj. Kryeministri Rama mësohet se i ka kërkuar deputetit Frroku, që t’i kërkojë ndjesë publike Jozefina Topallit për gjuhën e përdorur ndaj saj, ndërsa ka sqaruar se kërcënimi i zonjës Topalli ka shqetësuar edhe qarqet ndërkombëtare. Në mbledhjen me dyer të mbyllura, Rama ka deklaruar gjithashtu se nuk ka qenë kurrë në traditën e Partisë Socialiste që të sulmojë gratë e palës kundërshtare në një formë të tillë. Ndërkaq, deputeti Frroku mësohet se e ka refuzuar kërkesën e kryeministrit Rama për t’i kërkuar falje zonjës Topalli, me argumentin se, kjo e fundit e kishte akuzuar me pa të drejtë dhe për arsye politike. Pavarësisht këmbënguljes së Ramës dhe Ruçit, Frroku nuk ka pranuar një gjë të tillë. Në këto kushte, kryeministri Rama i ka kërkuar deputetit Frroku të largohej nga grupi parlamentar socialist, duke nënkuptuar edhe largimin e tij nga koalicioni i pushtetit. Shkak i qëndrimit të Ramës ishte çështja “Topalli”, por lëvizja dhe reflektimi i Ramës ka ardhur pas presionit të faktorit ndërkombëtar për t’u distancuar nga deputetët e akuzuar për krime. Ndërsa deputeti Frroku ka intensifikuar presionin ndaj kryeministrit Rama për zbatimin e marrëveshje parazgjedhore për ndarjen e pushtetit, kreu i PS kërkon ndërprerjen e çdo raporti politik.
Rama kërkon shkrirjen e AMA
Pjesë e diktimeve në mbledhjen e grupit parlamentar socialist ishte edhe ngërçi me Agjencinë e Mediave Audiovizive. Kryeministri Rama ka kërkuar shkrirjen e drejtuesve aktualë të AMA dhe zëvendësimin e menjëhershëm të tyre. Bëhet fjalë për një nisëm ligjore të deputetit socialist Alfred Peza, e cila parashikon shkrirjen e Agjencisë së Mediave Audiovizive dhe emërimin e anëtarëve të rinj. Nisma është përfshirë në kalendarin e punimeve, por është bllokuar për shkak të zhurmës së mazhorancës dhe deklaratave të përfaqësuesve të Brukselit. Megjithatë, Rama ka kërkuar miratimin e nismës dhe shkrirjen e AMA.





