Tiranë, 12 korrik 2014 – Kryeministri Rama ka ftuar kreun e PD-së, Lulzim Bashën, të realizojnë sëbashku reformën territoriale dhe të ndajnë suksesin e saj, pasi ka konstatuar se kanë shumë pika takimi ndërmjet tyre, nisur nga rezoluta që Shoqata e Bashkive dhe Komunave ka publikuar disa ditë më parë.

Në një letër që Rama i ka dërguar Bashës, shprehimisht thuhet:

“E lexova me interes letrën tuaj të datës 3 korrik 2014 dhe dokumentitn bashkëlidhur të një rezolute të miratuar prej Jush për Reformën Administrative Territoriale.

Në përgjigje të asaj letre, do të gjeni bashkëlidhur edhe sqarimin e përgatitur enkas për dijeninë Tuaj nga MInistri i Shtetit për Çështjet Vendore, z.Bledar Çuçi, i cili koordinon qysh prej ditës së parë, punën e shumicës qeverisës për këtë reformë.

Përsa më takon, unë jam i gatshëm që nëse Ju e gjeni me interest të takoheni me ne, të ulemi dhe të gjejmë rrugën rrugën më të mirë të bashkimit të forcave për ta miratuar së bashku reformën e shumëpritur Administrative-Territoriale.

Koha natyrisht ngushtohet pas çdo ftese prej nesh që nuk mirëpritet nga ana Juaj. Por duke parë se në dokumentin e rezolutës Suaj, gjejmë shumë pika takimi nesh dhe jush, jemi të bindur se periudha e mbetur e sesionit kuvendor është mëse e mjaftueshme për ta ndarë së bashku suksesin e kësaj reforme historike.

Cilado qoftë përgjigja juaj lejomëni t’ju falenderoj paraprakisht për letrën që më dërguat,”- përfundon letra.

Shoqata e bashkive dhe komunave të vendit u mblodh disa ditë më parë nën drejtimin e kryebashkiakut të Tiranës, Lulzim Basha, si kryetar i saj, për të diskutuar dhe vendosur mbi reformën administrative – territoriale që Qeveria ka planifikuar të zbatojë.

Opozita nuk ka marrë pjesë në komisionin parlamentar ngritur për këtë qëllim deri në muajt e fundit, kur papritmas, kërkoi të bëhej pjesë e kësaj reforme me kusht që vendimet të merreshin me konsensus.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/