TIRANE, 27 mars 2013– Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka reaguar sot në lidhje me deklaratat e kryeministrit Sali Berisha në mbledhjen e qeverisë ku ai i kërkoi atij t`u kërkojë ndjesë publike infermiereve.
Në një mesazh të publikuar në rrjetin social “Twitter”, Rama theksoi se duhet të jetë kryeministri Berisha ai që duhet t`u kërkojë ndjesë për rrënimin që i ka bërë shëndetësisë.
“Pse mos bëjmë një debat publik për shëndetësinë dhe për kush duhet t’u kërkojë ndjesë jo vetëm infermiereve po të vdekurve e të gjallëve? Një kardiolog në pushtet që rrënoi shëndetësinë dhe një KM që takson më shumë infermieret se veten duhet të ikë me vrap e të fshihet.Turp!” shkruan Rama.
Gjithashtu Rama i ka bërë një ftesë publike kryeministrit Berisha për një debat televiziv për shëndetësinë.
“Po nëse i’a mban zemra debatin le t’i zgjedhë vetë vendin, formatin, gazetarët, ditën, orën dhe le t’i shohim aty pastaj sukseset në shëndetësi!” thekson më tej Rama.





