Kryeministri Edi Rama e ka nisur paraditen e kësaj të shtune me një takim elektoral në Maliq. Në fjalën e tij ritheksoi rëndësinë që ka procesi i negociatave me Bashkimin Evropian.
“Kur dera të hapet ne duhet të jemi gati! Kaq shumë duan të ndodhë sa na kanë dhënë një plan në tavolinë dhe na kanë dhënë edhe 2 vjet për të mbyllur negociatat. Imagjinoni nëse ky proces ngadalësohet, nëse humbasin qoftë një javë, 2027-a vihet në rrezik! Atëherë dera mund të mbyllet. Zgjedhja është mes Shqipërisë 2030, zonjë në Europë dhe kënetës e bufit të saj për ta kthyer Shqipërinë ku ajo gjithmonë përfundon në ato duar, drejt e në gropë!”, u shpreh kreu i qeverisë.
Ndërsa deklaratën që bëri në Dibër duke thënë se “gjysma e burrave janë çyrykë”, e theksoi akoma më shumë sot.
“Më tregonin një video, një Fidel Fidel…Hajde mendje hajde! Hajde muhabet hajde, hajde çyryk hajde! Po kur thonë Edi Rama ofendon burrat, e them unë po prit…Unë them kështu, PS-ja nuk mundet dot! Është e kotë, sepse e mbështesin 56% e grave dhe vajzave të Shqipërisë, te burrat jemi më ngushtë në diferencë me kënetën sepse gjysma e burrave nuk janë mirë. Me punën në rregull janë, por tek politika është çyryk, nuk sheh, nuk kupton. Bëji bulevardin, jepi dritë qytetit, rrit ca të duash, do kënetën ai. Më pëlqen shumë sepse ngrihen tani deputetët e thonë ne nuk jemi çyrykë. Si mund të thotë njeriu unë s’jam çyryk?! Gjysma janë, gjysmën e trurit e kanë me ujë kënete. Por ama ne e kemi të thjeshtë llogarinë, kemi shumicën e grave dhe të rinjve. Na mjafton ajo!”, përfundoi Rama.