29 nëntor 2013- Kryeministri, Edi Rama ka hapur Kryeministrinë për të gjithë qytetarët kuriozë. Në kuadër të festimeve të “Natës së Bardhë”, kryeministri, Edi Rama ka hapurt dyert e kryeministrisë  për të gjithë qytetarët të cilët do të kenë mundësi të takohen me Ramën, dhe të shikojnë nga afër ndryshimet që ka pësuar institucioni me ardhjen në pushtet të qeverisë së re. Qytetarët do të jenë të organizuar në disa grupe, pasi sipas Kryeministrit Rama, për arsye procedurash të ndërlikuara të burokracisë së sigurisë, nuk është bërë e mundur që Kryeministria të hapë të gjitha hapësirat e saj.

“Shoh fëmijë më të bardhë, shoh fëmijë më me ngjyrë dhe kjo është gjë shumë e bukur, kjo është shprehje e vogël e një bashkëjetese harmonike që duam ta forcojmë, njerëzit të të njëjtin komunitet, bashkësi, të familjes sonë shqiptare. Jam i bindur se do largoheni nga kjo godinë me një kujtim të bukur, por vitin e ardhshëm do ketë dhe më shumë njerëz.

Në duam që përveç kësaj salle, të krijojmë edhe hapësira të tjera të rindërtuara, për t’i dhënë mundësi publikut që ta vizitojë Kryeministrinë jo vetëm në rastin e festës së Natës së Bardhë, por edhe në ditë të caktuara të vitit. Duam të ndërtojmë një bibliotekë publike të Kryeministrisë, një hapësirë koncertesh, dhe njëkohësisht dhe një hapësirë tonë për të ekspozuar vepra të artistëve shqiptarë ose të huaj, edhe këto të mundshme për tu parë nga publike.

Aty ku deri para pak kohësh kishte rrethim, godina të shëmtuara pa leje, një hapësirë e tërë publike e keqtrajtuar dhe e humbur për qendrën e qytetit, do të  kemi një hapësirë publike të ripërtërirë por edhe shumë të veçantë. Jam i bindur që do të jetë një tjetër pjesë e rifituar e kryeqytetit të ëndrrave dhe shpresave tona, të më të rinjve, të fëmijëve por dhe më të moshuarve", u shpreh Rama.