16 prill 2014 – Media britanike e specializuar për marrëdhëniet me publikun “PR Week” njofton se Kryeministri shqiptar Edi Rama ka hapur një tender publik për angazhimin e një firme ndërkombëtare të specializuar për marrëdhëniet me publikun, që do t’i bëjë makiazh” imazhit” negativ të Shqipërisë në botë. Këtë tender Kryeministri Rama e ka hapur nëpërmjet rrjetit sociat Twitter. Tenderi u hap në 8 prill dhe do vazhdojë deri në 30 prill.
Fatkeqësisht njëlloj si me anglezët e “Crown Agents”, ky tender pa u mbyllur akoma po përgojohet si i paravendosur. Besohet se Alastair Campbell (ne foto), PR i ish-Kryeministrit Bler është paracaktuar të jetë fitues i këtij tenderi për makiazh imazhi të Shqipërisë.
Ish kryeministri Berisha pagoi me të shtrenjtë me paratë e shqiptarëve firmën lobuese më me influencë në Uashington, famëkeqin dhe famëmadhin Toni Podesta të “Podesta Group” për makiazh imazhi. Kryeministri aktual Rama pritet të paguajë këtë Campbellin, që njihet në Londër si mjaft i aftë në zanat, por edhe i përfolur si dallaveraxhi e mashtrues, saqë edhe gazeta prestigjoze angleze “The Guardian” ka përdorur për të termin përbuzës “Spin Doctor”.
Është mëkat të ulësh pazarin nga “ujku” i pangopur Tony Podesta te “çakalli” britanik Alastair Campbell.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





