Kryeministri Edi Rama kë bërë ndryshime në kabinetin ministrave. Në një njoftim për shtyp të Kryeministrisë, bëhet me dije se kryeministri Edi Rama ka shkarkuar nga detyra ministrin e Financave Shkëlqim Cani dhe këtë detyrë ia ka ngarkuar Arben Ahmetajs, ministrit të Ekonomisë.
Ndërkohë, në krye të Ministrisë së Ekonomisë, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes do të vijë Milva Ekonomi.
“Kryeministri Edi Rama i shprehu sot Ministrit të Financave Shkëlqim Cani, falënderimet e tij për angazhimin, profesionalizmin dhe integritetin e plotë në kryerjen e njërës prej detyrave më të vështira qeverisëse të këtij mandati.
Kryeministri e informoi ministrin Cani për vendimin e zëvendësimit të tij me një koleg tjetër dhe i kërkoi vazhdimin e angazhimit të tij, me të njëjtin profesionalizëm e përkushtim, si deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe anëtar i Komisionit të Ekonomisë e Financave.
Ministri Cani e falënderoi nga ana e tij Kryeministrin për besimin dhe bashkëpunimin e ngushtë në kapërcimin me sukses të situatës së rëndë financiare të trashëguar dy vjet e gjysmë më parë, si edhe e siguroi për vazhdimin me përkushtim të plotë të angazhimit të tij politik e profesional si deputet i Kuvendit të Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.





