Kryeministri Edi Rama gjatë seancës plenare ku diskutohet për buxhetin 2023 ka folur edhe për financimet ruse. Ai i është drejtuar ashpër deputetëve të opozitës dhe tha se janë paguar me para ruse për të rrëzuar qeverinë e Shqipërisë.
“Mos bërtit ti gjel deti i Peqinit sepse ju po të kishit ju fytyrë dhe po të kishit ju din dhe po të kishit ju iman, dhe po të kishit ju fe e atdhe ju nuk i bënit Shqipërisë atë që i keni bërë. Çfarë i keni bërë ju Shqipërisë? Ju jeni paguar me para ruse për të rrëzuar qeverinë e vendit tuaj. Këtë i keni bërë ju Shqipërisë. Për çfarë arsye dhe këtu po filloj diskutimin tim tano. Hajde të ma thoni, jo ju se s’keni ça më thoni, ju jeni ca bedelë që nuk keni as sy për të parë, as veshë për të dëgjuar. Ju jeni bedelë të atyre që ju kanë tërhequr prej hunde. Ju mirë që nuk e keni ditur çfarë keni bërë, por sot e gjithë ditën nuk dini çfarë flisni. Hajde më thoni për cilën arsye në botë paratë ruse duheshin derdhur në Shqipëri për të rrëzuar qeverinë e vendit tuaj? Më thoni arsye, për çfarë? Për çfarë rusët duhet të paguanin partinë tuaj për të rrëzuar qeverinë e vendit tuaj? Për ta bërë Shqipërinë më demokratike, për ta bërë Shqipërinë më të drejtë, për ta bërë Shqipërinë më transparente, për ta bërë Shqipërinë më të denjë? Apo do më thoni që nuk i keni marrë ato para? Se deri dje mund ta thonit që nuk i keni marrë ato para sepse mund të hidhnit tezën që hodhët që ishte një komplot i Sorosit me Edvinin, po tani kur është raporti i CIA-s që e shkruan e zezë mbi të bardhë që Partia Demokratike është financuar me para ruse, jeni financuar me para ruse për të rrëzuar qeverinë e vendit tuaj dhe ju nuk keni gojë të dilni këtu e të flisni jo ç’do bëhet me vendin tonë e kush do investojë në vendin tonë”, u shpreh Rama.
I ashpër ishte reagimi i Kryeministrit Edi Rama ndaj deputetëve të opozitës teksa fliste për financimet ruse te Partia Demokratike. Ai u shpreh se ata janë të shitur dhe një turp i parlamentit. Sipas Ramës, deputetët thonë të njëjta gjëra që flet edhe Vladimir Putin.
“Kjo është arsyeja pse ju i thoni shqiptarëve ekzaktësisht, ca nga budallallëku, ca se jeni bedelë që nuk kuptoni fare, as pse jeni këtu, as çfarë bëni këtu dhe as çfarë doni të bëni këtu, por më e keqja akoma sepse ju tërheqin prej hunde ca të tjerë që e dinë shumë mirë çfarë bëjnë dhe të cilët i thonë shqiptarëve ekzaktësisht ato që Vladimir Putini thotë përditë. Ç’lidhje ka inflacioni me mua? Ç’lidhje ka kriza e energjisë me mua? Pse në Europë shajnë e mallkojnë Rusinë për gjëra që nuk i kanë bërë? Çfarë lufte? S’ka luftë, ne thjesht po bëjmë një operacion special policor kundër ca nazistëve në Ukrainë. E njëjta gjë është ajo që thoni ju. Ju jeni bedelë., ju nuk keni idenë çfarë thoni. Flas për ata që i morën paratë ruse, ngritën çadrën, ku ju si dele shkonit përditë e mblidheshit atje dhe blegërinit për të rrëzuar qeverinë e vendit tuaj, pastaj ju turrën nëpër ato marrëzitë e djegies së qendrave të votimit dhe bojkotit të zgjedhjeve sepse ju jeni të shitur, dakord. Disa prej jush janë të shitur dhe kanë marrë. Disa prej jush janë të shitur se janë gjela deti, si ai atje, njerëz që nuk kuptojnë are pse janë këtu se çfarë duan këtu, një turp i madh shumë për këtë vend dhe këtë parlament jeni të gjithë ju”, u shpreh Rama.