Kryeministri Edi Rama i eshte rikthyer edhe një herë akuzave te opozitës ndaj projektit për Portin e ri të Durrësit. Në një postim në Twitter, kreu i qeverisë shprehet se nuk di si t’u shpjegojë partnerëve ndërkombëtarë se “si mund të akuzohen investitorë të kalibrit të Muhammed Alabbarit për pazarllëqe të nivelit të Gërdecit”.

Rama përsërit se shteti shqiptar në këtë investim është ortak me 33% ndërsa shton se për ta arritur këtë është negociuar gjatë. Sipas tij, në seancën e parlamentit javën tjetër, qeveria do të ndajë faktet me qytetarët shqiptarë rreth këtij projekti.

“Çfarë s’po na dëgjojnë veshët për një prej kompanive më prestigjoze të Lindjes së Mesme dhe një prej investitorëve më të vlerësuar në industrinë globale të turizmit, që është fat, nder dhe mundësi e paçmuar t’i angazhojmë si partnerë të shtetit në Durrës!

Në një harmoni fatale të injorancës me ligësinë, motivuar prej urrejtjes politike si mishërim i mallkimit që e përndjek këtë vend në rrugën e shtetbërjes qysh prej 1912, ka plasur e dalë rrugëve një llum i pashoq akuzash mbi gjysëm të vërteta që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha!

Investimi më i madh i huaj në rajon, që do të transformojë Durrësin e Shqipërinë dhe do impaktojë drejtëpërdrejtë ekonominë kombëtare, trajtohet si aferë katundi për pula, ndërsa kontrata më gjatë e negociuar e shtetit shqiptar me një palë tjetër, lexohet si defter hallvaxhinjsh!“,- shkruan Rama.