12tetor 2015 – Kryeministri Rama në ceremoninë e mbajtur sot për nder të Kombëtares kujtoi dhe një herë mallkimet sipas tij kundër kuqezinjve pas humbjes me Serbinë.
“Rikthimi i papritur i mallkimit të 2 minutave të fundit e fashiti në sytë e shumëkujt ëndrrën e jashtëzakonshme. Madje fatkeqësisht nuk ishin të pakët ata që u sollën keq me ju, harruan gjithçka që kishit bërë, prapëseprapë ju i kishit dhuruar futbollit diçka që askush para jush s’kishte arritur as të imagjinonte, një Shqipëri të denjë konkurruese, krenare, që e cila arriti të luftonte për të shkuar në finalet e mëdha.
Harruan se kishit për ballë një skuadër që në letër s’krahasohet me tonën, harruan fare se grupi ynë ishte një ferr i vërtet, ku pas hedhjes së shortit as më optimisti s’do guxonte të vinte bast.
Ngatërruan lojën me luftën, topin me armët, dashurinë për kombëtaren me urrejtjen për fqinjët, u lëshuan me fjalët më të padenja ndaj jush, s’po llogaris këtu hiç fare gjuajtjen ndaj meje, se është pjesë e punës sime. Kush se ka veshur fanellën kuqezi s’e kupton peshën e rëndë të përgjegjësisë që sjell mbi kokë, zemër, supe, stomak”, tha Rama. Ai u shpreh se e njeh ndjesinë e përgjegjësisë dhe barrës së tmerrshme psikologjike. “U bënë stuhi që ju rrëzoi dy herë, madje rrëzimi i dytë i ngjau këputjes së litarit një krah larg, …nuk do e harroj kurrë në dhomën e zhveshjes, kokët e fshehura nëpër duar, trupat e ngrirë si të pajetë, zërin e kapitenit që përkthente duke u munduar të nxirrte energjitë e fundit, momenti dramatik i vetmisë”. Por, sipas tij, fati është me ata që nuk dorëzohen. “Po të kishim humbur sot do ishim sërish këtu. Edhe sikur ju të mos ja kishit dalë, kësaj historie fantastike që do mbahet mend për breza të tërë, prapësëprapë kjo kombëtare do ishte në majën më të lartë të historisë”, ishin fjalët e kryeministrit.
/portali DurresLajm/





