Një ditë më parë kryeministri Edi Rama u largua nga Kuvendi kur Kryetari i PD, Lulzim Basha tha se Europa i ka vënë 13 kushte Shqipërisë për hapjen e negociatave vitin tjetër, por përgjigjen ia dha këtë të premte.
“Mua më vjen sinqerisht për të qeshur, por dhe për të qarë kur dëgjoj të thuhet se Europa kë vënë 13 kushte, Europa ka vënë 12, 7 kushte. Europa nuk ka vënë faktikisht asnjë kusht, thjesht ka nënvizuar të gjitha kushtëzimet që ka procesi në këtë fazë”, tha Rama gjatë një takimi me Ambasadorët e BE-së në Tiranë, si dhe strukturat e integrimit europian në Ministrinë për Europën e Punët e Jashtme dhe Ministritë e linjës.
“Qeshëm me kryeministrin e Malit të Zi, sepse po diskutonim për 5 prioritetet dhe tha: prit, prit se ne jemi brenda negociatave dhe tani kemi 94 kushte dhe kur të mbarojnë këto do të dalin 124 të tjera. Është gjëja më normale për këtë proces. Këtu nuk është fjala për kushte speciale, është çështja e përputhshmërisë së shtetet tonë me organizmin e një vendi anëtar të BE. Pra është sinkronizim i të gjithë elementëve për t’i bërë të dy organizmat një. Për t’i bërë dy sisteme që të flasin me njëri-tjetrin.”
Kryeministri Rama tha se nuk mund ta fshehnin se ka një ndryshim mes çeljes së menjëhershme të negociatave dhe çeljes së tyre pas 12 muajsh, por shtoi se edhe nëse do të ishte marrë vendimi për çeljen e tyre të menjëhershme, do të ishin dashur 6-12 muaj për punën përgatitore.





