Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur një komentuesi në rubrikën e tij “Sy m’Sy”, i cili kishte theksuar se në Shqipëri nuk ka fëmijë. Rama ka bërë një bilanc të punës në sektorin arsimor dhe ka shpjeguar përmirësimet që janë bërë.

Ai theksoi se aktualisht 238 mijë nxënës marrin libra falas, duke e krahasuar me kohën kur prindërit ishin të detyruar të blinin librat vetë për fëmijët e tyre. Po ashtu, ai theksoi se paga mesatare e mësuesve është dyfishuar, duke kaluar nga 420 euro në 950 euro, dhe synohet që brenda mandatit të katërt kjo pagë të arrijë në 1250 euro.

Rama përmendi gjithashtu investimet në infrastrukturën arsimore, duke theksuar se deri në fund të mandatit të ardhshëm, do të ndërtohen 430 shkolla të reja dhe 200 të tjera. Ai po ashtu foli për laboratorët inteligjentë që tashmë janë të pranishëm në 340 shkolla, me planin që deri në fund të mandatit të katërt, ky numër të arrijë në 1000 laboratorë.

Ai u shpreh se do të ndërtohet një shoqëri publike për transportin e nxënësve dhe se do të mbështeten fëmijët për transport falas në shkollë. Rama theksoi gjithashtu se palestra në shkolla janë shumëfishuar, duke arritur mbi 200, dhe janë mbi 12 mijë fëmijë të përfshirë në aktivitete sportive.