Pavarësisht se kreu i shtetit Ilir Meta vendosi të shfuqizojë dekretin për zgjedhjet, duke parashtruar me argumente përse zgjedhjet nuk mund të zhvillohen më 30 qershor, kryeministri Edi Rama është i vendosur se procesi do të kryhet më 30 qershor.
“Përsëri gabim, e ju them se zgjedhjet do bëhen më 30 qershor. Nuk jam i befasuar, e prisja edhe këtë, dhe nuk është asgjë veçse mbyllja e një rrethi të një plani të bërë me kohë, për një arsye të vetme, për arsyen se nuk kërkohet shtyrja e zgjedhjeve, kërkohet marrja zvarrë e qeverisë e varrimi i refomës në drejtësi. Por as qeverinë s'e marrin zvarrë as reformën s'e varrosin dot dhe ne më 30 qershor do bëjmë zgjedhje, sepse zgjedhjet janë të popullit, as të partive as të presidentit”, u shpreh Rama nga Berati menjëherë sapo u bë publik vendimi i Metës.





