• Aleancë patriotike çame-ortodokse për Fan Nolin

Nga Gjergj Thanasi

Durrës, 29 qershor 2014 – Shoqata patriotike “ Foleja Kombëtare” e përfaqësuar nga zonja Elida Jorgoni, pinjolle e një prej familjeve më patriotike të Rilindjes Kombëtare shqiptare, ndërmori një nismë me karakter patriotik, fetar e kulturor. Kjo shoqatë çoi në vend amanetin e poetit, publiçistit e përkthyesit të ndjerit Perikli Jorgoni, duke sponsorizuar një bust të Mitropolitit të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, Fortlumturisë së tij Theofan Nolit.

Busti u realizua nga skulptori çam Idriz Balani, i njohur në mbarë hapësirën shqiptar për veprat monumentale të dala nga duart e tij. Patriotë çamë, gjithashtu, sponsorizuan udhëtimin dhe vendosjen e bustit të Nolit në ambjentet e kishës së Shën Mërisë së Elbasanit, ku meshon At Nikollë Marku.

Ky aktivitet patriotik, i zhvilluar paraditen e sotme në Durrës, u tentua të pengohej nga klerikë të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare përkohësisht të kryesuar nga Anastas Janullatosi, Ekzark i Patriarkut Bartollome të Kostandinopojës. Sipas zonjës Jorgoni, at Spiro Kostoli, zëvëndës i Arkiherarkisë së Durrësit, kundërshtoi vendosjen e bustit të Nolit në Kishën Ortodokse të Shën Astit në Durrës, me pretekse burokratike.

Pikërisht për këtë arsye nuk u vendos dot as pllaka përkujtimore për veprimtarinë në Durrës të Mitropolitit Noli, por u zhvilluan vetëm homëzhe pranë ndërtesës së degraduar, thuajse në rrënim të plotë të Mitropolisë së Durrësit, ku shoqata vendosi edhe portën hyrëse të Kishës së Shën Spiridhonit, ku ka mbajtur meshë Mitropoli Noli.

Gjatë këtyre homazheve, shërbestarët e kishës ortodokse të Shën Astit e kishin ngritur në maksimum zërin e altoparlantëve, që përcollën në mjedisin rreth kishës liturgjitë dhe psallmet ortodokse. Skenë kjo, që të kujton mesjetën, kur në Kishat e Kostandinopojës përplaseshin dishepujt e ortodoksisë me ato të arjanizmit apo të nestorizmit, apo edhe Bosnjen në prag të pushtimit turk, kur bëhej garë me liturgjitë kishtare ndërmjet ortodoksëve dhe bogomilëve.

Në këtë ceremoni binte në sy pjesëmarrja e të rinjve nga familje ortodokse, të cilët mbanin simbole kristiano-ortodokse dhe flamuj, bluza e shalle me shqiponjën e ngjyrat e flamurit kombëtar. Pllaka përkujtimore për Mitropolit Nolin, që nuk u lejua të vendosej në murin e ndërtesës tashmë të rrënuar të Mitropolisë së Durrësit, përkohësisht u strehua në ambjentet e ndërtesës së SHIK-ut, që gjendet ngjitur me Mitropolinë dhe përballë kishës ortodokse të Shën Astit. Pas kësaj ceremonie, busti i Nolit u nis drejt Katedrales Ortodokse të Tiranës për t’u vendosur përfundimisht në kishën ortodokse të Shën Mërisë në Elbasan.

Kryeministri Rama përfaqësohej në këtë ceremoni nga prefekti Roland Xhelili, një nga figurat më të shquara e më me integritet moral të së majtës durrsake. Me sa duket, me një përfaqësim të tillë Kryeministri Rama i çon një mesazh me gjuhën e Ezopit Ekzarkut Janullatos, si kundërpërgjigje për incidentet mesjetare me frymë nacionaliste gjatë shenjtërimit të Katedrales së Tiranës, të Patrikut serb apo priftërinjve grekë e serbë dhe ca elementëve përfaqësues të llumit nacionalist serb, të cilëve u ka mbetur sahati në kohën e Arkanit dhe Sheshelit.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/