Kryeministri Edi Rama është ndalur sot në Xhafzotaj të Durrësit, ku ka inspektuar fabrikën e prodhimit të profileve metalike “Papmetal”.
Pronari i saj tha se ishte e vështirë që ta arrinte objektivin, nëse nuk do t’u krijoheshin hapësira të reja nga lehtësitë fiskale të qeverisë dhe veçoi rimbursimin e menjëhershëm të TVSH-së dhe heqjen e TVSH-së për makineritë e pajisjet për prodhim. Duke përshëndetur operacionin kundër informalitetit, ai thotë që si kompani ia kanë ndjerë vlerën, pasi të gjithë klientët tani nuk kërkojnë të bëjnë më blerje pa faturë dhe kjo i ndihmon në rimbursimin e TVSH-së.
Kreu i qeverisë tha se fakti që biznesit të vogël dhe sidomos këtyre zanatçinjve që janë pjesë e biznesit të vogël, taksa iu bë zero, ka ndikuar dhe do ndikojë shumë gjatë këtij viti.
“Tani ata nuk kanë më problemin si të deklarojnë të ardhura se mos kushedi ngjiten mbi masën limit dhe pastaj hyjnë në biznes të madh, por kanë problemin tani si të jenë rregull me faturat, sepse heqja e taksës është e qartë që nga ana tjetër rritet ndëshkimi, në rast se ti vazhdon dhe bën evazion dhe s’je në rregull me faturat, kështu që kjo do ju lehtësojë të gjithëve”, tha Rama.
Gjatë këtij inspektimi, kryeministri shoqërohej edhe nga drejtoresha e Tatimeve Briseida Shehaj.