Kryeministri Edi Rama inspektoi sot kantierin e ndërtimit të kompleksit të godinave qeveritare ku do të akomodohen me zyra disa agjenci që operojnë në fushën e informacionit dhe sigurisë kibernetike në Sauk, Tiranë.
I konsideruar si Poli i Sigurisë Kibernetike, në këtë kompleks godinash do të vendosen Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG), Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike (ACESK) si dhe Agjencia e Inteligjencës Financiare (AIF).
Projekti është ideuar si një hapësirë multidimensionale ku krahas zyrave do të ketë edhe ambiente të dedikuara për parkim, salla takimesh, mbledhjesh, apo ambiente të tjera ndihmëse për administratën që do të punojë aty.
I shoqëruar nga zv/kryeministrja Belinda Balluku njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, kryeministri Rama u njoh nga afër me projektin dhe afatet e realizimit të tij.
Balluku informoi se Poli i Sigurisë Kibernetike do të shtrihet në një sipërfaqe prej 9600 m2 ku një pjesë e zyrave do të vendosen në nivelin -1, për shkak të protokolleve të sigurisë.
Po ashtu Balluku informoi se niveli -2 do të jetë parkim me mbi 115 vende ndalimi. Sipas saj “Shqipëria ka hedhur hapa të rëndësishëm në sigurinë kibernetike ndaj edhe ndërtimi i këtij kompleksi vjen si domosdoshmëri”.
“Holli do jetë modular dhe do të ndryshojë sipas eventeve dhe do të jetë i përdorshëm për të trija institucionet”, tha ajo.
Kryeministri u informua po ashtu se afati i dorëzimit të këtij kompleksi është në 18 muaj, ndërsa kërkoi që të bëhet punë shumë cilësore.
“Faktikisht është një godinë e standardeve të sigurisë së lartë për aktivitetin që kryhet brenda saj nga Agjencia e Mbrojtjes Kibernetike, që ka marrë një rëndësi të veçantë dhe ka bërë një përparim, dhe së fundmi është pajisur edhe me teknologji të fjalës së fundit si vendet e larta të klasifikimit të Europë për mbrojtjen.
Po ashtu edhe Agjencia e Inteligjencës Financiare që ka një punë shumë të ndjeshme për shkak të sensibilitetit të të dhënave që lidhen me transaksionet financiare”, tha Rama.
Kryeministri vlerësoi rolin e kësaj agjencie për daljen e Shqipërisë nga lista gri e pastrimit të parave, apo gjithë përpjekjen për të luftuar me evazionin apo paratë që vijnë nga burime kriminale.
“Kjo është një godinë me rëndësi dhe ka një pozicion shumë të favorshëm, edhe si fazë parë e asaj që vjen më mbrapa për të ndërtuar më tutje standarde të reja për të gjithë pjesën e Akademisë së Policisë dhe Akademisë së Sigurisë”, tha Rama.