Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në takimin me sipërmarrës të rinj në Sarandë ka folur edhe për Paketën e Maleve. Rama u shpreh se kjo paketë i referohet maleve në radhë të parë, por edhe territoreve të brendshme të vendit. Ai theksoi se zonat si Delvina, Konispoli dhe Finiqi kanë një potencial të madh për të investuar.
Rama më tej theksoi se duhet të investohet në agroturizëm dhe se Shqipëria është vendi ideal për ata që kanë vizion dhe kurajo. Ai shtoi se 500 të parët që do të futen në aplikim për të zhvilluar një pronë për agroturizëm do të përfitojnë një periudhë 10-vjeçare pa taksë.
“Emri ju krijon një ide të gabuar, edhe pse ligji që ne kemi kaluar me emrin paketa e maleve i referohet maleve në radhë të parë, por në tërësi është një ligj që i referohet territoreve të brendshme të vendit. Që do të thotë edhe territoreve brenda të gjithë rajonit Sarandë, ku përfshihen, Delvina, Konispoli, Finiqi dhe ku ka një potencial të madh për të investuar. Në ligjin me emrin paketa e maleve edhe pse këtu është pak më ndryshe, jo komplet ndryshe, mjafton një dëshmi e miratuar nga Këshilli Bashkiak, sa i përket pronës që mund të mos ketë hipotekën për shkaqe që lidhen me 7501, mjafton ajo dëshmi për të bërë marrëveshjen me shtetin, për të marrë lejen e ndërtimit dhe për të filluar investimin.
Në momentin kur mbaron investimin, prona është e jotja e hipotekuar. 500 të parët që do të futen në aplikim për të zhvilluar një pronë për agroturizëm, për agropërpunim, ose për çfarëdolloj zhvillimi tjetër me natyrë rurale që kërkon një investim, po kryesisht për agroturizëm, do të ketë një periudhë 10-vjeçare pa asnjë taksë. I 501 do paguajë taksë. Për ata që kanë vizion dhe kurajo, Shqipëria është vendi ideal për të investuar se të jep mundësinë që pastaj të fitosh shumë me tepër se çfarë mund të fitosh jashtë dhe duke punuar për të tjerët,” tha Rama.