Teksa salla e Kuvendit “ziente” nga diskutimet për importin e plehrave në Shqipëri, Kryeministri Edi Rama nuk ka ironizuar vetëm demokratët, por ka shënjestruar edhe deputetin e partisë së tij, Ben Blushin.

Nga njëra anë Rama akuzoi opozitën se nuk ka kapacitet dhe se ngre akuza mbi asgjënë, ndërsa nga ana tjetër e falënderoi që i jep mundësinë t’i informojë të gjithë, madje edhe disa gjithologë që janë në PS, duke iu referuar kështu Blushit. Ai e ka cilësuar rivalin e tij në parti, “hudhër për të mos i marrë mësysh”.

“Ju nuk keni kapacitet. Ju po bëni të njëjtin gabim që e bëni qysh se unë u njoh dhe qysh se Saliu iu la drejtorin e SHQUP-it për kryetar. Ju ngrini kauza mbi asgjënë, ndërtoni alibi mbi shpifjen. Ju keni bindjen se shqiptarët mund t’i bëni për budallenj. Edhe te kjo çështje do të humbni siç humbët në Dibër, siç humbët dhe vazhdoni të humbni po nuk e kuptoni akoma, me kanabisin. Faleminderit shumë që më jepni mundësi për të bërë diçka që mund ta kishim bërë më mirë, informimin e njerëzve. Mirë që jeni ju, bashkë me sa gjithollogë që i kemi mes nesh, si hudhër për të mos na marrë mësysh”, deklaroi Rama.