Kryeministri Edi Rama, gjatë prezantimit të kandidatëve socialistë në Lezhë, ironizoi partitë e reja politike, duke i cilësuar si grupe me “njerëz problematikë”.
“Thonë që kanë dalë parti të reja, 17 kishin për dekriminalizim, listat me njerëz problematikë. Ato janë parti që merr babën, nonën, çunin e tezes dhe kap knej e andej ju dalin kukumjaçka e lloj-lloj insektesh”, u shpreh Rama.
Ai theksoi se Partia Socialiste mund të rrëzohet nga pushteti vetëm nga një forcë politike e krijuar përmes inteligjencës artificiale.
“PS mund ta mundë vetëm një parti me inteligjencë artificiale”
Duke shprehur besimin e plotë në fitoren e 11 majit, Rama tha se opozita nuk do të arrijë dot rezultatin e zgjedhjeve të 2021.
“Ata si Luli nuk kanë pasur dhe nuk kanë për të pasur, se rezultatin që arritën me Lulin nuk e arrijnë më,” deklaroi ai.
Në një tjetër komunikim me qytetarët në rrjetet sociale, Rama e konsideroi përfitimin nga fondi i “Planit të Rritjes” të BE-së për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut si meritë të reformave të ndërmarra nga qeveria.
“Shpejtësia në planin e ri të Rritjes do të thotë përmbushje e detyrave sipas kalendarit dhe programit të dakordësuar,” tha kryeministri, duke theksuar rëndësinë e integrimit europian për Shqipërinë.
Ai përsëriti se qeveria e tij solli reformën në drejtësi, ndërsa opozitën e akuzoi si kundërshtare të këtij procesi.
“Ata janë penguesit dhe armiqtë e reformës në drejtësi,” u shpreh Rama.
Në fund, kryeministri lajmëroi se më 29 dhe 30 mars do të zhvillojë takime me diasporën në Kretë dhe Athinë, ndërsa më 13 prill do të udhëtojë në Milano për të takuar shqiptarët që jetojnë në Itali.