TIRANË, 24 shkurt 2013 – Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët në selinë e Partisë Socialiste, kryetari i PS-së Edi Rama ka sqaruar disa prej pikave të programit të PS-së të deklaruar dje, edhe pse sipas tij ai ishte një program politik që do pasohet nga një program qeverisës, i cili sipas Ramës do bëhet publik në hapje të fushatës. 

“E majta po mbyll një cikël të vështirë”, tha ai ndërsa u shpreh i bindur se më 23 qershor PS e ka të sigurt fitoren. 

I pyetur a do jetë pjesë e Parlamentit pas zgjedhjeve Rama ka deklaruar se do jetë pjesë e tij, por si kryeministër. 

“Unë e shikoj parlamentin si kryeministër. Besoj që nuk do më pengojë kush që të jem deputeti i Partisë Socialist, megjithëse unë kam pikëpamjen që deputetët bëjnë detyrën e deputetit dhe kryeministri të kryeministrit”, komentoi ai. 

Ai ju tha gazetarëve më tej se, “Nuk mund ta them kur do ta shihni emrin tim në listën e deputetëve, në një kohë që listat s’janë publikuar. Unë s’kam asnjë pengesë nga statuti për të qenë në listë. Po të ishim në sistemin mazhoritar këto gjëra do kishin kuptim”, tha Rama. 

Ne lidhje me një përballje publike me kryeministrin Berisha, kryesocialisti komentoi se është mëse i nevojshëm, ndërsa shtoi se ai e ka kërkuar këtë edhe në raste të tjera. 

“Duhet ta kishim dhe duhet ta kemi, jam i gatshëm për debat publik me Berishën. Kam qënë i gatshëm të bënim një debat për 3 ligjet, duhet ta bënim në vitin 2011 kur humbëm statusin, por kryeministri ka të drejtë që nuk do debat, se për të do jetë shumë i vështirë. E përsëris edhe njëherë jam i hapur për debat kudo ku kryeministri ndjehet më mirë”, tha ai. 

Mungesa e disa figurave të Partisë Socialiste gjatë punimeve të Konventës Kombëtare por edhe në daljet e tyre publike, ishte një çështje tjetër që u komentua nga lideri i PS-së. Sipas Ramës, mungesa mund të ketë pasur pasi të gjithë janë të angazhuara me detyra për zgjedhjet, ndërsa veçoi rastin e Ben Blushit, i cili sipas Ramës kishte probleme shëndetësore. 

Ndërsa i pyetur për qëndrimet e fundit të deputetit të Kukësit, Asllan Dogjani dhe disa socialistëve të tjerë në Kukës, kryesocialisti tha se, “Socialistët e Kukësit janë të bindur që në skuadër ka nevojë për ndryshime të formacionit bazë. Në stolin e rezervave nuk ka gëzim, kjo dihet. Nuk ka skuadër pa stol e ata nga ana tjetër shfaqin pakënaqësi”.

Rama i është përgjigjur edhe njëherë interesimit të gazetarëve për 3 ligjet e integrimit, duke thënë se ato përdoren si objekt propagande nga qeveria. 

“Besoj që është bërë fare e qartë se çfarë kërkohet nga Shqipëria për të shkuar në rrugën e integrimit, janë zgjedhje të lira dhe të ndershme, edhe pse pushtetarët gënjejnë e thonë se s’janë kusht ato janë kusht themelor. Për sa i përket tre ligjeve dihet se çfarë e pengon përfshirjen tonë, ndërsa rregullorja e kuvendit mbahet peng nga pala tjetër. Nuk ka asgjë më shumë dhe asgjë më pak në këtë histori”, shtoi ai. 

Duke u rikthyer tek programi i PS-së, ai tha se të majtët mbeten të gatshëm për t’i prezantuar sot shqiptarëve, programin më të detajuar në histori. 

“Programi që paraqitëm është politik, nuk është i plotë, do kemi zhvillime të reja, kur të mbërrijmë në kongresin që do hapë fushatën, do kemi edhe një dokument mjaft më të gjërë. Kemi marrë angazhimin që do jemi partia e parë që t’i shkojmë shqiptarëve në zgjedhje me një program qeverisës të detajuar. Ne do ecim me bindjen që më 23 qershor do marrim votën për të qeverisur dhe që të jemi të gatshëm për të qeverisur”. 

Ai shtoi më tej se, grupi me të cilin punon është i vetëdijshëm për ta bërë Shqipërinë vendin ku gjithkush dëgjohet e merr atë që itakon. 

Kryesocialisti ndër të tjera ka lënë të kuptohet, që emri i Dëshira Subashit nuk do jetë në listën për deputetë. “ Besoj që në listën e deputetëve të PD do ketë shumë nga ata që duhet të kenë imunitet të lartë për t’iu shmangur përballjes me ligjin, ndërkohë që lista jonë nuk ka nevojë për këtë. Për sa i përket zonjës Subashi unë kam shumë respekt për atë që ajo që ka bërë, por besoj që figurat e deputetit përbëjnë një vlerësim, por nuk janë gjithçka dhe nuk janë ekskluziviteti i vlerësimit të njerëzve, ka shumë detyra të tjera. Ne nuk kemi ndërmend të përsërisim historinë, në ato që ka treguar se janë rrugë të gabuara”, tha Rama. 

I pyetur për vlerësimin që i bëri kontributit të Nanos dhe Metës gjatë Konventës, Rama hodhi poshtë pretendimet se vlerësimi u bë për t’i ftuar at për bashkëpunim, por nuk nguroi të theksojë se dera e PS është e hapur për cdo forcë politike. 

“Vlerësimi për Nanon nuk ka lidhjeme ftesën për bashkëpunim, ka lidhje me një moment të caktuar, kur u fol për historinë e transformimit të PS, do të ishte e paudhë që të gjithë protagonistët që anëtarësuan PS në internacionale, të mos merrnin kontributin që meritonin. Për të njejtën arsye përmenda edhe Ilir Metën, ka pasur kontribut 10 vjet më parë. Anëtarësimi në internacionale një vendim shumë i rëndësishëm, Nano e Meta dhanë kontribut kryesor, e këtë s’mund ta mohoj”, komentoi Rama./ 

Ai tha më tej se, “Zgjedhjet e 23 qershorit ne do i fitojmë, por kërcënimi ndaj fitores sonë është real, si një pjesë e një strategjie të mbrapsht për t’i manipulur, ne na duhet cdo forcë e cdo individ që ka vullnet të bashkohet me ne, dhe që të mund të garantojë paprekshmërinë e rezultatit dhe koalicion”, shtoi ai.