Kryeministri Edi Rama ka dhënë sinjale pozitive në lidhje me një zhvillimin e një tryeze politike për zgjidhjen e krizës në vend.
Në dalje të seancës së “djegur” për zgjedhjen e Presidentit, Rama tha se me shumë gjasa do të ketë një tryezë dialogu me ndërmjetësimin e partive simotra të PD-së në Europë, e konkretisht me të deleguarin McAllister, i cili do të vijë në Tiranë të hënën e ardhshme.
Në lidhje me letrën e PS dhe LSI për të shtyrë regjistrimin e koalicioneve deri në fund të muajit, Rama tha se e gjitha bëhet si shenjë e vullnetit të mirë për të pritur opozitën që të bëhet pjesë e zgjedhjeve.
“Këtu bëhet fjalë për një sforco me vullnet të mirë nga ana jonë për të krijuar një hapësirë mundësie për opozitën zyrtare, me shpresën që do të kthehet në rrugën e arsyes… dhe për ti dhënë një shans përpjekjes së PPE-së, që me gjasë do të ndodhë, pas këmbënguljes sonë, në funksion të një dialogu që për fat të keq nuk arritëm ta bëjmë me përpjekjet tona sepse hasëm në murin shurdh të PD-së. Mos kini asnjë merak se nëse ata do të duan të shkojnë deri në fund me këtë sjellje, do të jetë deri në fund përgjegjësia e tyre.”- tha Rama.





