Në intervistën për ERT-në, Kryeministri Edi Rama e ka vënë theksin te ekzistenca e ligjit të luftës, pavarësisht që jemi në vitin 2023.
Rama është shprehur se është në interes të lartë që kjo gjë të largohet njëherë e përgjithmonë, sikurse ka pohuar marrëdhëniet e rëndësishme të Shqipërisë me Greqinë dhe miqësinë që jo vetëm popujt, por edhe qeveritë duhet të kenë me njëra-tjetrën, pavarësisht se kush është në krye si në Tiranë si në Athinë.
Gazetari: Kanë kaluar 80 vjet nga mbarimi i luftës së dytë botërore edhe janë nënshkruar disa traktate miqësie, janë rinovuar më saktë midis dy vendeve. Minoriteti grek në Shqipëri duket sikur trajtohet me një sy skeptik nga sistemi politik shqiptar. Dhe jemi në vitin 2023!
Kryeministri Edi Rama: Sipas meje, kjo është tërësisht e pavërtete në terrenin e fakteve. Ka 80 vite që ka mbaruar Lufta e Dytë Botërore dhe akoma sot Greqia ka në fuqi ligjin e luftës, gjë që është një arkaizëm i madh dhe gjë për të cilën ne jemi shumë të interesuar që ta shohim të largohet një herë e përgjithmonë nga rruga jonë e përbashkët. Ndërkohë që, unë besoj shumë tek miqësia, tek partneriteti strategjik dhe tek interesi i madh i përbashkët i yni, Shqipërisë dhe Greqisë për të forcuar sa më shumë këtë miqësi, ashtu sikundër besoj në faktin e thjeshtë që minoriteti grek në Shqipëri është një thesar i kulturës sonë të bashkëjetesës dhe një urë e pazëvendësueshme për ta ushqyer dhe për ta forcuar miqësinë mes të dy popujve, mes të dy shteteve dhe patjetër edhe mes dy qeverive, pavarësisht se kush qeveris në Tiranë dhe pavarësisht se kush qeveris në Athinë.