Gazetari Arjan Çani tha në emisionin “Të Paekspozurit” se kryeministri Edi Rama është mjeshtër i intrigave dhe njerëzit i sheh si lodra.
Sipas tij, kryeministri “intrigën e ka zbavitje”, ndërsa thekson se ka një sjellje për të përçarë humanët.
Çani solli edhe raste konkrete, kur tha se këtë gjë e ka bërë edhe me Ilir Metën dhe Fatos Nanon, madje vepron sa herë që ai gjen terren.
“Edi Rama me sa e njoh unë dhe sa e kam njohur, është njeri që e ka patur vijë sjelljeje përçarjen e humanëve edhe në jetën e përditshme edhe në shoqërinë e tij.
Edi Rama, në momentin që shikon, që dy persona nuk honepsen, është brilant si intrigant për t’i përçarë. Ai e ka bërë këtë gjithë jetën. Këtë ka bërë mes Metës dhe Nanos, e ka bërë me të gjithë. Është mjeshtër. Ai gjen terren. Rama e ka pasion intrigën.
Rama e ka pasion intrigën, nuk rri dot. E ka si zbavitje, është formë arti. Humanët nuk i sheh si njerëz, por si vepra arti, si lodra.
Nuk është çudi pse opozita është në këtë gjendje. Është në këtë gjendje sepse nuk honepsin njëri tjetrin, pastaj Edi Rama është mjeshtër për ta shfrytëzuar”, deklaroi Çani.