Kryeministri Edi Rama, i pyetur në emisionin “Dritare” të Rudina Xhungës, në lidhje me akuzat se vëllai i tij Olsi Rama, ka lidhje me kompaninë që do të marrë koncensionin e TVSH-së, tha se kjo akuzë është teknologjia e një regjimi të vjetër që nuk i bën më asnjë përshtypje. Madje në të kaluarën ka dëgjuar akuza më të çuditshme e më të rënda se kaq.

“Mua më kanë akuzuar për të gjitha, që nga lidhje me Al-Qaedën, që nga të qenit homoseksual, që mund edhe të kisha qenë, por nuk jam se nuk është asgjë kriminale të jesh, deri te padrino, te pastrues i parave. Kam dëgjuar edhe që im bir nuk është im bir.

Për sa i përket kësaj, është pjesë e një zinxhiri që ka filluar nga dora të lashta. Dikur më skandalizonin, tani jo. Kjo është teknologjia e regjimit të vjetër që është transferuar në kohën e tranzicionit te një sekretar partie që u bë kryetar i Partisë Demokratike. Im vëlla nuk ka asnjë lidhje. Si mund të thuash që ai është partner i një kompanie që bën propozimin. Është tamam si ajo e Zhvejgut”, tha Rama.