Pas mbledhjes së grupit parlamentar në qytetin e Elbasanit këtë të martë, kryeministri Rama tha se të gjithë në PS duhet të bëjnë maksimumin deri në zgjedhje për të siguruar një mandat të ardhshëm.

Ai paralajmëroi grupin aktual parlamentar se vendi i tyre nuk është i sigurt dhe nga sot janë kandidatë për deputetët në zgjedhjet e ardhshme dhe nëse nuk japin aq sa duhet nuk do të jenë në formacion.

“Nga sot deri kur të paraqitemi para qytetarëve ka vetëm një gjë që duhet të kërkoni nga vetja, llogari. Unë ju njoh dhe e di shumë mirë që ju nuk i meritoni paragjykimet. Kush dhe si duhet ta godasë dhe si stereotipin e deputetit. Forca e shembullit alternativa e vetme, çdo gjë tjetër e përforcon. Shembujt ne i kemi në këtë grup parlamentar dhe fatkeqësisht nuk janë pak, por sërish nuk mjaftojnë.

Ne kemi mjaftueshëm kohë për të përmbushur pritshmëritë. Kemi mjaftueshëm kohë për ta ristartuar kompjuterin për procesin e rikrijimit të skuadrës fituese. Troç fare, deputetë jemi në sallën e kuvendit, ndërsa jashtë saj nga sot jemi kandidatë për deputetë. Kush nuk do të japë jo thjesht gjithçka ka, por gjithçka duhet, nuk do të jenë në atë formacionin e ardhshëm”, u shpreh Rama.