I nervozuar është shfaqur Kryeministri Edi Rama në studion e Top Story të Sokol Ballës. I ftuar për të folur për shkarkimet në qeveri, Rama e nisi fjalën duke ofenduar analistët që komentojnë këto zhvillime politike, si “njerëz që Shqipëria nuk ja ka parë dhe nuk do t’ua shohë hajrin”.

I pyetur drejtpëdrejt nga gazetari Balla përse e shkarkoi Tahirin, Rama tha se duhet të angazhohet për zgjedhjet e 18 qershorit, që sipas tij do të vendoset qeverisja e vendit për 10 vite.

Kjo përgjigje e Kryeministrit nervozoi Sokol Ballën dhe Rama iu përgjigj duke kërcënuar me largim nga studio.

Debati

Edi Rama: Sot ne kemi një qeveri që ka 50% burra dhe 50% gra. Ky është një fakt që nuk meriton të lihet në harresë, por meqë në mjedisin tonë publik ku gatuhen thashethemet, nuk ka shans një fakt i tillë të vlerësohet.

Sokol Balla: Përse e shkarkuat Saimir Tahirin?

Edi Rama: Nuk kam shkarkuar asnjërin prej ministrave. 18 qershori vendos se si do të jetë Shqipëria pas 10 vitesh.

Sokol Balla: Sapo bëtë një deklaratë antikushtetuese. Shqiptarët votojnë një herë në 4 vjet, jo një herë në 10 vjet. Ju ofenduat të gjithë kolegët e mi, ata kanë të drejtën e shprehjes.

Edi Rama: Po unë kam të drejtën time të shprehjes? A ka mundësi mos më ndërprisni më?

Sokol Balla: Patjetër, por qëndrojmë në kornizën kushtetuese të këtij vendi.

Edi Rama: Unë refuzoj të qëndroj këtu përpara nëse ju më ndërprisni. Kështu që nuk e cakton ti është kushtetuese apo antikushtetuese. Nuk jemi në garë bashkë. Saimir Tahiri nuk është shkarkuar si ministër i Brendshëm, por është liruar nga një detyrë që kërkon angazhim të jashtëzakonshëm për të folur me njerëzit si udhëheqës i PS në Tiranë.