Pas takimit me qytetarët e Durrësit në kuadër të Këshillimit Kombëtar, kryeministri Rama është mbledhur me të rinjtë e qytetit bregdetar.

Me ata ai ka diskutuar për politikën, ndërsa ka kërkuar votën për kandidaten e Partisë Socialiste në garë, kryetaren në detyrë, Emiriana Sakon.

Gjatë fjalës së tij, Rama nuk ka lënë pa “thumbuar” as dy kandidatët e tjerë, respektivisht Luan Hotin e Partisë Demokratike dhe Ardian Mukën e koalicionit opozitar “Shtëpia e Lirisë”, raporton “DurrësLajm“.

“Ju e dini që unë jam tashmë deputet i Durrësit dhe unë dua shumë që të bëjmë shumë punë të tjera në qytet bashkë me Anin (Emiriana). Në fakt edhe sot po punohet.

Unë nuk njoh asnjërin prej dy kandidatëve, por të dy janë pjellë e një sherri.

Ne po punojmë për portin, kur njëri do t’i vëri bravën e tjetri varenë, kur ne në fakt duam të bëjmë portin e ri.

Kush e vendos këtë? Normalisht e vendosni me votë, sepse unë nuk mund ta bëj vetëm. Në bëhemi bashkë për një qëllim, secili bën pjesën e tij.

Unë nuk dua t’i paragjykoj (Mukën dhe Hotin) dhe ata duhet të më kuptojnë, se nuk është faji im që njërin i ka sjellë brava e tjetrin vareja”, tha ndër të tjera Rama.