Kryeministri Edi Rama teksa u takua me ekipin e negociatave me BE-në tha se do të ngrihet një Këshill Ndërministror për çështjet europiane. Rama u shpreh se ky Këshill do të garantojë një vazhdimësi në diskutimin e brendshëm, lidhur me qëndrimet apo edhe ecurinë e negociatave.
“Duke u nisur nga disa eksperienca pozitive të disa vendeve që kanë kaluar nga kjo rrugë, mendoj që është e udhës që ne t’i japim jetë një Këshilli Ndërministror për çështjet europiane, që do duhet të garantojë një vazhdimësi në diskutimin e brendshëm, lidhur me qoftë qëndrimet, qoftë dhe ecurinë e procesit të negociatave sepse, thashë, ky është një proces kaq intensiv, kaq sfidues dhe kërkon një thellësi kaq të madhe të ndërveprimit dhe koordinimit, saqë praktikisht nëse ne nuk bëjmë një ekstra sforco që të gjithë do ta kemi të pamundur që të japim rezultatet e dëshiruara dhe ky këshill do të na ndihmojë.
Do të jetë një Këshill që do të jetë në përgjithësi Këshilli juaj, në sensin që do të mblidhet në mënyrë periodike me kërkesë të Ministres së Shtetit sa herë që është e nevojshme që të behet një bilanc apo të adresohen problematika të caktuara, apo të nënvizohen dobësi të caktuara, të cilat kërkojnë një adresim të natyrës politike dhe po ashtu do të mblidhet në raste të caktuara me kërkese të Ministres për Europën dhe Punët e Jashtme apo me kërkesë timen për ndonjë çështje të veçantë të natyrës edhe politike që kërkon një konsultim edhe me ju, sipas sektorëve të caktuar, por si të thuash është një forum i brendshëm për të pasur sensin e ecurisë së gjërave, sepse është shumë e rëndësishme që të mos punoni vetëm si ishuj të izoluar nga njeri-tjetri. Natyrisht që nuk i takon dhe mbase as nuk i intereson në të përditshmen e punës së vet Adeas të di se çfarë bën Reida, ose Reida se çfarë bën Adea, por është shumë e nevojshme që secili prej jush ta ketë vizionin e së tërës dhe ta shohë hartën e shtrirjes së kësaj armate të vogël në territorin e legjislacionit europian dhe ecurinë apo problematikat në këtë shtrirje. Është shume e rëndësishme”, u shpreh Rama.
Në takim merrte pjesë edhe Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka, si dhe Ministrja e Shtetit, njëkohësisht Kryenegociatore Majlinda Dhuka.





