VLORE – Sekretariati i Rinise në Partinë Socialiste përmbyll turin e ManiFEST për 2012 në qarkun Vlorë me pjesëmarrjen e mijëra të rinjve socialistë. 

Kreu i PS-së, Edi Rama gjatë takimit u bëri thirrje të rinjve që të bëhen pjesë e ndryshimit. Ai tha se të rinjtë duhet të punojnë për të ndryshuar Shqipërinë dhe jo për t’u larguar prej saj. Rama tha se 2013-ta është viti i ndryshimit.

“Në 23 qershor ne do ta përmbysim këtë botë që na është imponuar përmes votave të vjedhura, përmes padrejtësish të përditshme, përmes mungesës së plotë të vizionit, të projektit, të ideve dhe të aftësive për ta çuar Shqipërinë aty ku meriton, në familjen Evropiane, si anëtare me të drejta të barabarta të asaj familjeje. Për t’i dhënë mundësi të rejave dhe të rinjve të këtij vendi që nesër të mos jenë qytetarë të dorës së dytë të BE-së”,- është shprehur Rama gjatë takimi “Unë jam FRESSH”.

Lideri i opozitë ka nënvizuar se me ardhjen në pushtet të PS-së, do të punohet “për t’u përballur me sfidat e Evropës së Bashkuar, pa asnjë kompleks inferioriteti, pa asnjë mangësi”.

“Një Shqipëri që të ketë punësim real, jo rritje të papunësisë. Një Shqipëri të ketë mbështetje për çdo ide për të bërë biznes dhe jo shkatërrim të biznesit në emër të një grushti klientësh të pushtetit. Një Shqipëri që të ketë taksim të ndershëm dhe jo taksë të sheshtë që bën që mësuesit të paguajnë më shumë taksa se ministri arsimit, apo polici të paguajë më shumë taksa se ministri i brendshëm. Një Shqipëri ku shërbimet merren sipas nevojave jo sipas xhepit, ku gjithkush që ka nevojë për kujdes shëndetësor ta marri atë kujdes dhe pse mund të jetë i papunë dhe për pasojë i pasiguruar. E pra një Shqipëri ku ne të gjithë së bashku të mund të themi, po ishim ne të gjithë së bashku që kthyem një faqe dhe hapëm një faqe të re në historinë tonë”,- tha Rama.