Është inaguruar këtë të mërkurë Spitali i ri i Sëmundjeve të Brendshme në QSUT. I pranishëm në ceremoninë hapëse të kësaj qendre spitalore Kryeministri Edi Rama, foli për bluzat e bardha dhe garantimin e kushteve më optimale të punës për ta.

“Gëzuar të gjithë festën e Novruzit, në këtë ditë me diell pushimi. Të gjithë ju që jeni këtu të mos ndiheni të cenuar për shkak të këtij momenti ceremonial sepse ky spital është vepra më e madhe dhe komplekse që kemi ndërtuar në këto vite, por edhe përmbushja e një nevojë të madhe për të kaluar në një epokë tjetër të shërbimit shëndetësor, duke vënë në dispozicion një spital i cili ka jo vetëm mjediset më të përshtatshme për misionin e tyre por edhe instrumentat e nivelit më të lartë sot. Kjo na bën vërtet krenar sepse ajo që kemi besuar është bindja se motivimi i mjekëve dhe infermierëve nuk është thjesht dhe vetëm çështje motivimi financiar që patjetër është element i rëndësishëm, por edhe çështje kushtesh, instrumentash, mundësish që mjekët tanë dhe gjithë personeli të mund të rriten profesionalisht në vazhdim dhe të mund të ekzekutojnë në praktikë të gjitha dijet dhe forcën e eksperiencës.”

Rama u ndal dhe te rritja e pagave, ku theksoi se këtë vit qeveria do të mbajë premtimin për rritjen me 7% të pagës së mjekëve të përgjithshëm dhe infermierëve.

“Ne kemi vendosur që të rrisim në mënyrë shumë agresive pagën për mjekët specialistë, me 500 dollarë plus dhe natyrisht s’duam të ndalemi këtu. Do rrisim me 7% pagën e mjekëve të përgjithshëm siç e kemi premtuar këtë vit. Së shpejti do të publikojmë një tjetër program të posaçëm për mjekët, ushtarakët, punonjësit e policisë, për të garantuar strehimin e mjekëve të rinj specialistë, natyrisht kur të paraqiten çift, jo tek. Për të gjitha çiftet e reja, e kam fjalën për ata që janë në verën e martesës së tyre, të jenë subjekte të këtij program ku shteti do të mbështesë kreditimin e tyre për të pasur mundësinë e marrjes së një shtëpie me kushte tjera nga ato të tregut bankar.”

Kreu i qeverisë u shpreh po ashtu se të gjithë mjekët që do të kenë volum më të madh pune, do të shpërblehen financiarisht mbi nivelin e vendosur të pagës.

“Me këtë do motivojmë mjekët e rinj, dhe përtej tij ky është një detyrim që plotësimi i nevojave me shërbim të lartë, por ama është sfidë gjithnjë e më e madhe për shkak të lëvizjeve migratore të mjekëve. Për këtë arsye ne do kombinojmë disa masa dhe patjetër ne nuk mund të vazhdojmë pa formësuar një politikë të caktuar në vijim që të financojmë studimet në mjekësi me një ndarje me studentët që është terësisht e pranueshme kur ata qëndrojnë në Shqipëri.

Rritja e pagave është njëra anë e medaljes së transformimit dhe është si të thuash është ajo anë që garanton nivelet bazë, edhe paga e re me 50 mijë lekë të reja plus sot është një rritje e jashtëzakonshme, por në raport me të nesërmen është garantimi i nivelit bazë. Ne duam që mbi këtë nivel bazë, mjekët të mund të fitojnë më shumë në raport me kontributin më pak në gjithë eksperiencën e tyre të përditshme. Të gjithë mjekët janë  në shërbim, por jo të gjithë kryejnë të njëjtin volum pune. Dhe këta të fundit do të marrin më shumë financiarisht mbi këtë nivel.”