Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha doli sot në deklaratë për mediat, duke thënë se protesta e djeshme ishte një kryengritje paqësore e shqiptarëve.

Sipas tij kjo protestë e 10 shkurtit do të shënohet në analet e historisë si përpjekje e shqiptarëve për të rikthyer demokracinë dhe dinjitetin.

Berisha tregoi prapaskenat sipas tij të qeverisë që kishte përgatitur një skenar gjakderdhje, prandaj edhe në krye të policisë kishte vendosur Sokol Bizhgën, që kryedemokrati e konsideron një kriminel.

“Antikushtetues ishte reagimi i narkoqeverisë ndaj protestuesve paqësore. Të tmerruar nga qëndrueshmëria e protestuesve, Rama kishte përgatitur skenarin e gjakderdhjes. Kishte përgatitur ekzekutimin e protestuesve paqësore në shesh. Për këtë qëllim ai kishte vënë në komandë, në krye të banditëve me uniformë kriminelin famëzi Sokol Bizhga. Njëriu që dorëzoi tek bandat oficerin e policisë Gjergj Mehmeti që ndodhej në makinë me te. Ky shpëtoi ndërsa atë e dogjën të gjallë banditët”, tha Berisha.

Berisha e konsideroi protestë e opozitës si faqja më e ndritur e kryengritjes paqësore të shqiptarëve për çlirimin nga diktatura autoritare e organizatës kriminale që kryesohet nga Edi Rama.

“Një mirënjohje dhe nderim të pakufishëm atyre burrave dhe grave, djemve dhe vajzave, që dje me protestën e tyre, kryengritjen e tyre paqësore, rikthyen shpresën, rikthyen besimin e shqiptarëve në triumfin e tyre, në fitoren e tyre mbi narkoshtetin. Shqipëria është tjetër sot, nuk është më kurrë ajo e një dite më parë. Dhe kjo është merita e madhe e njerëzve të sakrificës, e njerëzve të idealeve, e njerëzve të gatshëm të përballen për të mbrojtur vlerat më të çmuara të njeriut. Detyrimi ndaj tyre është i pakufishëm. Protesta e djeshme bindi çdo shqiptar se fitorja mbi narkoregjimin është e sigurt. Se Edi Rama është një kufomë politike e pakallur. Se regjimi i tij kundërmon në Shqipëri dhe në Europë dhe duhet hedhur sa më parë”, tha kreu i PD.