Kryeministri Edi Rama ka komentuar nga SHBA idenë e krijimit të Shtetit Bektashi, brenda shtetit Shqiptar. 

Rama tha se këto ditë ka dëgjuar çudira të jashtëzakonshme, ndërsa tha shpjegimet e tij se pse ka propozuar që të krijohet një etnitet sovran. 

Ai tha se ndryshe nga tre komunitetet e tjera, bektashinjtë janë si jetim në Shqipëri dhe shtoi se ajo çfarë përfaqësojnë janë pasuri kombëtare që duhet ruajtur. 

Pyetja: Këto ditë po flitet shumë dhe po debatohet, sidomos në televizionin shqiptar, çështja e themelimit të një Vatikani të dytë në Shqipëri.  Njerëzit kanë frikë, se kjo është një krijim i një shteti të vogël islamik, brenda një shteti po ashtu islamik, që është pjesëtare e Konferencës Islamike të botës. 

Kryeministri Edi Rama: Ajo që mund t’iu them është se prej kaq shumë vitesh sa unë jam në këtë vorbull publike, jam mësuar që kur them diçka të re ose kur flas për një projekt të ri, dëgjoj shumë çudira, po si këtë herë, asnjëherë. Këtë herë kam dëgjuar dhe kam lexuar çudira të jashtëzakonshme, por gjëja që më ka habitur më shumë është që çfarë padije e jashtëzakonshme ekziston për Urdhrin e Bektashinjve. Unë shumë miqësisht do ju sugjeroja të gjithëve që të lexojnë dhe të informohen për Urdhrin e Bektashinjve. Çfarë përfaqëson në historinë e kombit tonë, çfarë roli ka pasur në fatet e kombit tonë dhe çfarë pasuri e madhe është për kombin tonë. Unë personalisht janë katolik, nuk janë mysliman, kam pas fatin që ta kem gruan myslimane, gjysmën më të mirë, kuptohet. Dy kalamaj i kemi ortodoks, sepse kështu i kemi pas ndërmarrjet e përbashkëta në të kaluarën. Në ndërmarrjen tonë të përbashkët kemi një çun, 10 vjeç do ta vendosi vet. Mund të thotë do bëhem budist, është në të drejtën e vet. Kështu që në këtë aspekt, të më thuash mua shtet islamik, po flet me një pjellë të imagjinatës, por jo me mua, e para. 

E dyta, thënë kjo për çfarë përfaqëson Urdhri i Bektashinjve në historinë tonë si pasuri historike e kulturore patjetër që ky është një nga katër komunitetet. Janë edhe tre komunitete të tjera. Është komuniteti musliman, është komuniteti i krishterë ortodoks dhe është komuniteti katolik. Tani çfarë i bashkon këto të treja dhe i ndan, po ta shikosh? Këto të treja janë pjesë e tre komuniteteve shumë të mëdha të shtrira në të gjithë dynjanë, ndërkohë ky tjetri është një “komunitet si jetim”, sepse është një komunitet që e ka qendrën e vet botërore në Shqipëri dhe këtë as e kam bërë unë, e ka. Atëherë këto të tre të tjerë kanë jetën e tyre, kanë hapësirën e tyre shumë të madhe, kanë rrugën e tyre të sigurt sepse kanë mundësinë të marrin mbështetjen nga të katër anët, siç e kanë marrë dhe siç e marrin dhe siç do e marrin dhe e kanë të ardhmen e garantuar apo jo. 

Ky tjetri është një komunitet, është një urdhër që mbahet me mundime të mëdha dhe që e ka kapacitetin e rrezatimit shumë të ulët, për shkak se kaq fuqi kanë. Tani, kemi ne interes kombëtar që ta ruajmë këtë pasuri, apo t’i lëmë fatit edhe po ju them unë, për pak dekada do të ketë njerëz të zakonshëm që do t’i përkasin për shkaqe historike, por nuk do të ketë më një sistem me të gjitha figurat që duhet të ketë në çdo vend etj. Nuk do të ketë më sepse fuqia dhe mundësia për ta prodhuar brezin tjetër e brezin tjetër nuk është. Të tjerët i shkollojnë imamët, i shkollojnë priftërinjtë në plot vende të botës, nuk ka asnjë problem. Janë gjithmonë e më të shkolluar, ikin atje, shkollohen, vijnë e vazhdojnë. Po ne? Ku do t’i shkollojmë? Si do t’i garantojmë vazhdimësinë e mbi të gjitha çfarë do të thotë që të krijohet një entitet sovran? Do të thotë që statusi i këtij Urdhri të ngrihet në një nivel maksimal dhe të ketë një rrezatim përtej atij perimetri të pronës së vet sepse janë në pronën e tyre ata, aty është prona e tyre, i kanë pasur denbabaden, ua mori komunizmi siç ua mori të gjithëve dhe e kanë prapë ata. Ky është në status si një përfaqësi diplomatike. Çfarë do të ndodhë tani? Shtet islamik brenda një shteti islamik? Çfarë janë këto muhabete kështu? 

Natyrisht që është normale të ketë diskutime, është normale të ketë shqetësime etj, por ajo që është për të qeshur dhe për të qarë njëkohësisht, por në rastin konkret është më shumë për të qarë sesa për të qeshur sepse flasim për një gjë shumë të rëndësishme, është që nuk çfarë nuk fantazohet. Thonë që ky është një plan i Serbisë që të bëhet shteti këtu e pastaj të bëhet një shtet ortodoks në Kosovë. Çfarë idiotësie. 

Ndërkohë që komunitetet fetare të tjera e kanë të gjithë sistemin e tyre, e kanë global, kanë qendrat e tyre. Si do bëhet kjo? Në çfarë forme do të ndodhë kjo? Kjo nuk është kështu që hajde se jemi ne disa njerëz e po bëjmë një shtet. Kjo është kështu siç po ju them unë, por që të kuptohet mirë biseda, unë do t’ju sugjeroja kujtdo ndër ju që është i interesuar dhe kujtdo tjetër që është i interesuar, të hapë librat e historisë së Urdhrit Bektashi, duke filluar nga Naim Frashëri. Nuk besoj se ka qenë agjent i Soros-it, nuk e besoj, por edhe mund të ketë qenë. Unë nuk e besoj se ka punuar për Soros-in Naim Frashëri, nuk ma ha mendja që të ketë qenë i blerë nga Vuçiç. Edhe mund ta ketë blerë që atëherë, por unë nuk e besoj. Ta fillojnë nga Naim Frashëri e të shohin pastaj gjithë si ka rrjedhur historia e këtij Urdhri dhe pasi ta lexojnë do kuptojnë që këtu bëhet fjalë për një pasuri kombëtare, këtu bëhet fjalë për një thesar që ne nuk mund ta lëmë që të tretet. Kaq e thjeshtë është kjo! “Jo po se po të bëhen këta kështu, atëherë do duam dhe ne”. Po çfarë doni ju? Po çfarë do duan këta të tjerët? Të gjithë i kanë qendrat e tyre, disa kanë një, disa kanë disa, ortodoksët kanë qendrat e tyre, janë të ndara sipas zonave të tyre. Fan Noli krijoi Kishën Autoqefale, por nuk tha “Hajde se po e bëjmë shtet më vete” pikërisht për faktin se Kisha Autoqefale Shqiptare ishte pjesë e gjithë rrjetit. 

Pjesa e komunitetit mysliman ka gjithë ato referenca dhe për këtë arsye ka dhe gjithë ato mbështetje që i merr, kurse këta janë si jetimë dhe janë jetimët e Shqipërisë, nuk janë as të një shteti e as të një shteti tjetër. 

Tani ne Shqipëria, duhet ta lëmë që këta jetimë, në sensin që nuk kanë asnjë lidhje me fuqitë e tjera. Tempulli i tyre, për të ndërtuar tempullin e tyre kam kërkuar unë nga qeveria që të japin një financim. Nuk kanë ata shtete të tjera që i mbështesin, por ama të mos harrojmë që është një Urdhër që ka njerëz në të gjithë botën dhe jo thjesht shqiptarë, ka lloj-lloj. Është një qasje e islamit që ka disa nuanca të vetat etj. 

Kundërshtia me çdo çmim! “Nuk ka rëndësi se çfarë thotë. E thotë Edi Rama? Nëse e thotë Edi Rama, po e tha ky kjo është tradhti”. Edhe si përfundim, Naim Frashëri është agjent i Soros! 

Pyetje: Konkretisht, a do të mbahet me referendum, do të votojë Parlamenti, a do të këshilloheni me Akademinë e Shkencave dhe Arteve? 

Rama: Shqipëria ka një Kushtetutë dhe ti e di shumë mirë dhe në bazë të Kushtetutës dhe mbi bazën e ligjeve ndërkombëtare ne do të votojmë një proces që do të jetë konform Kushtetutës dhe konform ligjeve ndërkombëtare, pa asnjë diskutim, sepse kjo nuk është një gjë që e thashë unë dhe u bë. Kjo ka një proces, do të diskutohen gjërat, do të shihen të gjitha aspektet legjislative dhe pastaj në fund, unë besoj që do të triumfojë arsyeja. Në këtë gjë po ju them ka vetëm të mira, çdo gjë mund të ketë ato të vetat, por në këtë gjë unë nuk shoh asnjë gjë që mund të thuash “jo po se kjo”. Asnjë, zero, që të mos flas për të mirat e tjera që sjell për Shqipërinë e për shumë e shumë gjëra nga pikëpamja e vizibilitetit, nga pikëpamja e interesit, atraksionit etj. Le të mos flasim për këto. 

Po flas vetëm për interesin tonë kombëtar dhe për trashëgiminë tonë historike, kulturore kombëtare. Kështu e shoh unë. 

Faleminderit!