Kryeministri Edi Rama ka rinisur këtë të djelë rubrikën “Komunikimi Javor”. Ai tha se me zgjedhjen e Gramoz Ruçit, Kuvendi nuk do të jetë më klubi i ligjeratave.
Kreu i qeverisë tha se kryetari i ri i Kuvendit do të jetë garant i bashkëjetesës mes shumicës qeverisëse dhe opozitës në Kuvend, ndërsa theksoi se sulmet ndaj Ruçit janë jehonë e zbraztisë së opozitës.
Rama: Dje kemi zgjedhur kryetarin e ri të Kuvendit, deputetin me përvojnë më të gjatë parlamentare i cili pa pikë dyshimi do jetë garant i palëkndur i bashkëjetesës së shumicës qeverisëse dhe opozitës në Kuvend. Keqardhje për sulmet dhe baltën ndaj kryetarit të ri të Kuvendit të cilat janë jehonë e zbraztisë së ideve që ka karakterizuar opozitën për vite të tera. Koha do ta tregojë shumë shpejt ndryshimin e cilësisë në drejtimin e Kuvendit që nuk do të jetë më klubi i ligjëratave pa rend dite pa kufi etik e kohor në një lumë fjalësh sipas hesapeve partiake e personale të ligjvënesve.
Nesër në orën 10 do të marr fjalën në kuvend për programin e qeverisë dhe pas marrjes së besimit nga kuvendi, qeveria do të bëjë betimin dhe do të nisë menjëherë nga puna me mbledhjen epara e cila do të shpallë vitin mbarëkombëtarë të Skëndërbeut dhe do të vendosë për lehtësimet e para të barës së burokracisë nga shpatullat e njerëzve të zakonshëm.
Shembull: Italia prodhon 1 mln certifikata lindje në vit për nevoja administrative të qytetarëve. Po Shqipëria? 4.5 milionë. Më shumë çertifikata të printuara në vit sesa vetë popullsia jonë brenda dhe jashtë vendit. 4.5 milionë udhëtime brenda zyrës së gjendjes civile. 4. 5 milionë radha në vit vetëm për të vërtetuar se ti ekziston. 4.5 milionë futje dorës në xhep brenda një viti për të paguar dokumentin e ekzistencës tende vetën e vetëm që të marrësh një shërbim, një patentë, licensë etj. 4.5 milionë arsye për tu mërzitur me këtë vend dhe me këtë shtet vetëm nga çertifikata e lindjes. Po sa shumë arsye në xhunglën e letrës që prodhon pa kriter dhe pa karar shteti ynë duke i marrë kohën dhe frymën qytetarëve. Me çertifikatën do të nisë eliminimi i dhjetra miliona udhëtimeve, radha e kontakeve me sportelet e zyrave të shtetit, por ju lutem prisni edhe 2.7 ditë sic keni pritur 27 vjet dhe do dëgjoni jo më zotimin por vendimin për të nisur lehtësimin e ndjeshëm të jetës suaj nga stresi juaj i kontakeve të tepërta dhe të raskaptishme me zyrat e shtetit.
Qeveria e re është krijuar për të qenë një qeveri e juaj në kuptimin më konkret të fjalës. Një qeveri për të bërë progres në Shqipërinë që duam me shtet, punë dhe mirëqenie. Ndryshimi i strukturës dhe i mekanizmave të qeverisë është vetëm në fillim dhe është fillimi i një procesi ndryshimi kapilar që do të shtrihet në gjithë organizmin e shtetit dhe që do të lehtësoje jetën e cdo qytetari në marrëdhënie me administratën. Do të ulë ndjeshëm korrupsionin dhe do të rrisë transparencën dhe shpejtësinë e shërbimeve për çdo qytetar. Do të fuqizojë ekonominë, do të rrisë sigurinë, do të përshpejtojë integrimin europian të vendit që në fund të fundit është modernizmin dhe demorkatizim i pandalshëm.





